E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurin lart? Gjermanët dhe simbolet e tyre kombëtare

"Unë nuk dashuroj shtetin, unë dashuroj gruan time", - pat thënë një herë ish-presidenti gjerman, Gustav Heinemann, i pyetur çfarë ndjenjash ka ai për Gjermaninë. Kurse Presidenti aktual, Kohler, thotë se ai e do vendin. Horst Kohler hapi të enjten në Shtëpinë e Historisë në Bon ekspozitën "Flamurin lart - Gjermanët dhe simbolet e tyre kombëtare". Muzeumi tregon me 600 eksponate marrëdhëniet e politikanëve dhe qytetarëve gjermanë me kombin dhe simbolet e tij. Një flamur, banda ushtarake, ushtarë që marshojnë dhe një monument, për një kohë të gjatë ky zinxhir simbolesh në Gjermani ka qenë tabu, sepse ato kujtonin kohën e nacional-socializmit. Diktatura nacional-socialiste i pati përdorur për qëllimet e veta simbolet kombëtare. Kështu Adolf Hitler thoshte gjithnjë: “Simboli i shenjtë për gjermanët ka qenë gjithmonë flamuri. Ai nuk është vetëm një copë shall, por është bindje dhe pranim i detyrimit".

Flamuri i ri i Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore ka qenë i zi, i kuq dhe i verdhë. Kështu të dy shtetet iu kthyen trashëgimisë së përbashkët të 1848-s. Në Revolucionin e Marsit shumë vetë dolën në rrugë, për të bashkuar të gjithë principatat gjermane në një vend të vetëm – Gjermaninë. Flamuri gjerman pati luajtur një rol të madh në këtë proces. Ai ishte simboli më i rëndësishëm i bashkimit në këtë periudhë. Ekspozita e Bonit tregon këtë zhvillim në mënyrë kronologjike, - siç thotë Iris Bender, bashkëpunëtore shkencore e Shtëpisë së historisë në Bon. “Në Republikën Federale simbolet si për shembull himni ose çështja e flamurit të ri federal janë diskutuar gjatë. Kjo është prezantuar këtu në sallën e muzeut. Përveç kësaj shihet ende se dy shtetet gjermane i referohen traditës së 1848-s. Por këtë e kanë bërë në mënyra të ndryshme. Sepse në RDGJ bazoheshin në luftën e barrikadave dhe traditën revolucionare, kurse në Republikën Federale në traditën parlamentare". RDGJ iu kthyer për arsye ideologjike simboleve kombëtare: “Duhet të ketë pamje demokratike, por ne duhet të kemi çdo gjë në dorë”. Ky ishte diktumi i kryetarit të shtetit në RDGJ, Valter Ulbriht. Kurse në Republikën Federale u hoq dorë krejtësisht nga valëvitja e flamurit. Qyteti i Bonit u kthye në selinë qeveritare, me simbole të reja për fillimin e ri, ku edhe në pritjet shtetërore u hoq dorë nga pompoziteti. Vetëm ribashkimi ndryshoi qëndrimin e gjermanëve ndaj vendit të tyre.

Në ekspozitë vizitorët kalojnë në një rikonstruksion të Portës të Brandenburgut, e cila kthehet simbol të Gjermanisë së ribashkuar. Corinna Tomberger nga Shtëpia e Historisë në Bon: "Këtu kemi të bëjmë me Gjermaninë e bashkuar dhe këtu fillon sërish një trajtim tjetër i ngjyrave zi, kuq dhe verdhë, dhe Berlini bëhet kryeqytet i Gjermanisë së Bashkuar". Ekspozita tematizon ndërtimin e monumenteve, për të cilat ka pasur diskutime kontroverse dhe debatin për rindërtimin e Kështjellës Berlineze dhe përfundon me detin e zi, kuq dhe të verdhë të Kampionatit Botëror Futbollistik në 2006. Ekspozita paraqet një patriotizëm të ri në Gjermani, i cili i ardhur deri këtu nuk duket të ketë më asnjë gjurmë të shpërdorimit të dikurshëm të pushtetit. Hans Valter Hyter, president i Fondacionit Shtëpia e Historisë të Republikës Federale Gjermane: “Të krijohet përshtypja se qëndrimi i gjermanëve ndaj simboleve të tyre kombëtare është më pak i tensionuar, më i çliruar, si të thuash është bërë më normal”. Ekspozita e Bonit nuk thotë për fat të keq asgjë mbi ekzistencën e ekstremistëve, që i keqpërdorin simbolet kombëtare si flamuri gjerman për qëllimet e tyre radikale ideologjike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›