E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugëurrejtja kundër reformës në drejtësi

Në një intervistë të para disa muajve, Arben Imami, shefi i kabinetit të Kryeministrit, ndër të tjera tha se ne kemi gjetur një studim, një episod fragment për rrugën Durrës-Kukës që po ndërtohet, një projekt i lënë nga socialistët. Dhe krahasimi më i thjeshtë ka nxjerrë se ajo që kishin bërë ndërmend të ndërtonte qeverisja socialiste ishte shumë më e shtrenjtë se ajo që po ndërtohet realisht. Ka qenë një kosto më e lartë dhe bëjnë mirë që qeveritarët e dikurshëm opozitarë të sotëm në bredhjet e konferencave të shtypit, ta thonë këtë gjë. Po ta përmendin dhe të kërkojnë që kopje të këtij projekti t’i shkojnë Ina Ramës që ta përfshijë në dosje për hetim. Dhe nëse marrim rastin e pavërtetë e të paprovuar se kjo rrugë në tenderime e prokurime ka shkelje, ajo që nuk merret mirë vesh dhe nuk perceptohet qartë ligjërisht është dalja e dosjes e tëra në shtyp. Unë kam punuar gjatë në sektorin e kronikës dhe shumë dosje të vjetra që ende janë të pambyllura kanë rrjedhur në shtyp e kjo do të ndodhë. Më ka qëlluar shpesh nga miqtë e mi në prokurori të marr dokumentacione tepër të bujshme për shtypin, por që në fakt ishin sekrete hetimore. Në përmbajtje të profesionit i kam përcjellë pjesërisht dhe asnjëherë për të dëmtuar punën e hetuesve. Ndërsa sot deputetë të opozitës, të Partisë Socialistë, i kanë zili gjithë gazetarët e kronikës së zezë që mbulojnë prokurorinë. Shumëkush prej tyre do të dëshironte të dërgonte në redaksinë e lajmeve një pjesë të atyre të dhënave aq konfidenciale e sekrete, duke u shpërblyer për investigimin e dobishëm karshi lajmeve. Shoh befasisht se ky fat gazetaresk u ndodh vetëm deputetëve socialistë dhe lexohen nga Erion Braçe dhe Taulant Balla në më të shumtën e rasteve. Që kjo dosje shkon nga prokuroria në selinë rozë, apo në grupin parlamentar të kësaj partie, këtë largqoftë të mos e dijë Ina Rama si drejtuesja fuqiplotë e institucionit të centralizuar, ku hierarkia i jep pushtet të plotë. Mirë është që shefja e akuzës të thërrasë në dijeni të saj në prani, hetuesit dhe prokurorët e kësaj çështjeje tepër delikate dhe krahas llogarisë për afatet e hetimit, për dëshmitë e marra, ekspertizat e bëra, veprimet që kërkojnë mbylljen e dosjes dhe dërgimin e saj në Gjykatë, t’u kërkojë edhe një tjetër llogari. T’u kërkojë edhe më pas të ndëshkojë ligjërisht, përgjegjësit që pas orarit zyrtar të punës, mund të marrin dosjen me vete dhe të shkojnë në selinë e Partisë Socialiste, duke sinkronizuar dosjen me palën politike dhe të vënë në funksion të saj. Profesionalisht Prokuroria e Përgjithshme mundet të verifikojë se materialet e dosjes së “Durrës-Kukës” ngjajnë si dy pika uji me ato që publikohen nga Braçe dhe Balla. Nëse nuk ia thonë hetuesit e saj se si kanë rënë dokumentet e kësaj dosjeje dhe të tjerave më parë në duar të deputetëve investigues, atëherë ajo mundet që t’i kërkojë Kuvendit, që parlamentarët të bëjnë kujdes se i prishin hetimet. Nuk prirem nga dëshira të besoj se prishja e hetimeve është në fakt thelbi i kërkesës së majtë që mendon se po dëmton mazhorancën e djathtë. Janë në metrat e fundit të projektit të shpërberë politik, duke dashur të mos shembë deri në metrin e fundit rrugën e pabërë PS-LSI, pas kthimit të Kodit Zgjedhor, Rama dhe Meta, shpresojnë se kanë një frymëmarrje për ta këmbyer, që të mëkëmben pak pikë dhe kjo në kurriz të së vetmes rrugë e të vetmit përfaqësues të Shqipërisë, ministrit që është firmosës i ngjarjeve më historike të vendit tonë, si anëtarësimi në NATO dhe rrugës “Durrës-Kukës”. Për të mbajtur gjallë shpresëshuarjen PS-LSI, Rama ka urdhëruar të tijtë të sulmojnë edhe gjykatën, pasi me prokurorinë nuk i kanë punët keq, që të gjejnë fronte të tjera lufte. Ky aksion ndaj institucioneve të drejtësisë përfaqëson mungesën e konsensusit për reformën në drejtësi që duhet të japë opozita dhe që është pengu i një integrimi për gjithë shqiptarët.

Ndërkohë Qendra e Publikimit të Shpifjeve në Partinë Socialiste këto ditë ka qenë në punë 24 orë dhe ka sfilitur zëdhënësit që thuajse kanë marrë inat veten për përsëritjet dyvjeçare, për hatër e urdhër të Edi Ramës. Turi udhëtim nëpër selinë e partisë që të gënjejmë për rrugën Durrës-Kukës ka lajmëruar se të majtët nuk duan ta pranojnë atë që po ndodh, mbarimin e sipërmarrjes më të madhe në historinë e këtij vendi. Tani që gjykata është shprehur për dy ish-të akuzuar, duke pushuar çështjen, tani që pjesa tjetër më tepër bëhet gjyq në mediat e majta, Partia Socialiste është turrur të mbajë ritmin e pamundësisë së saj në bashkëpunim për reformat. Ajo që Rama ka kurdisur si skemë në partinë e tij funksionon në opinionbërjen jashtëinstitucionale, para se Prokuroria dhe Gjykata të flasin zyrtarisht me procedura dhe vendime të formës së prerë. Të gjendur ballë një surprizë që do të jetë e vërteta, Edi Rama ka sajuar grupimin trillues, të mos heshtë asnjë ditë, se në të kundërt dalin zbuluar. Politika opozitare duhet të kërkojë llogari për çdo lloj abuzimi që ajo mendon se është bërë dhe verifikon vjedhje, abuzime, apo mitmarrje. Por mirë do të ishte të besonte edhe tek institucionet e drejtësisë, për atë sistem që nuk po jep marrëveshjen për të bërë reformën kur na ndajnë edhe katër muaj për të qenë qytetarë të NATO, anëtarë me të drejta të plota të Aleancës së Atlantikut.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›