E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: 6-mujorin e dytë do të ketë fonde shtesë

 

Ministri i Financave hap fushatën në mbledhjen e qeverisë. “Do të japim grante për shkollat”

TIRANË - Ministri i Financave, Ritvan Bode, deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë, se "buxheti i vitit 2009, jep një garanci maksimale se nuk do të krijohen probleme që mund të çojnë në një destabilizim të mundshëm të financave publike, edhe pse është një vit elektoral". Ai u shpreh para anëtarëve të kabinetit qeveritar se buxheti i vitit 2009 përbën një stacion mjaft të rëndësishëm në konsolidimin e financave publike në tërësi. "Meqenëse ky është buxheti i një viti elektoral ne jemi treguar më të matur në programimin e të ardhurave. Nëse ritmi i rritjes së të ardhurave, nga viti në vit, ka qenë të paktën 15 për qind, në vitin 2009 ne kemi programuar një rritje prej 10-11 për qind të të ardhurave të buxhetit. Pra, me qëllim kemi ecur me një marsh më të lartë sigurie nga pikëpamja e të ardhurave", - tha Ministri Bode. Sipas tij "kjo mund të sjellë tejkalime të qenësishme në buxhet dhe ndoshta në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009, nëse shqiptarët do të votojnë përsëri këtë maxhorancë, do të krijohet mundësia për të bërë një buxhet suplementar, ku do të rialokohen këto fonde". Ministri i Financave theksoi gjithashtu se, buxheti 2009, mbështet në mënyrë të qenësishme investimet publike dheinvestimet në infrastrukturë, por pa u ndalur në shifra konkrete. "Buxheti mundëson edhe dy reforma shumë të rëndësishme: krijimin e autonomisë së shkollave të larta, duke kaluar në mënyrën e financimit në formë granti për universitetet, si dhe hapin e parë të një reforme të thellë shëndetësore, duke kaluar financimin e shërbimit në spitale, përmes Institutit të Kujdesit Shëndetësor", - tha Ministri Bode

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›