Rryshfeti, pranga kirurgut të spitalit të Burgut
Policia e Tiranës arreston shefin e Kirurgjisë së Spitalit të Burgut, pasi kryente operacione në spitalin nr.2
Ardian Nelaj akuzohet se kryente operacione të jashtëligjshme kundrejt 20 mijë lekëve në spitalin civil
TIRANË- “Standardi i Garantuar” çon në qeli shefin e kinikës së spitalit të burgut në Tiranë me akuzën e korrupsionit. Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Njësinë e Task-Forcës në Prokurori organizuan ditën e djeshme një operacion i cili u finalizua me arrestimin e mjekut 38- vjeçar, Ardian Nelaj. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se Nelaj dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Mjeku kirurg Ardian Nelaj, me detyrë shef i Klinikës së Spitalit të Burgut në Tiranë, dyshohet se përfitonte para, duke ia kërkuar pacientëve të ndryshëm, në këmbim të kryerjes së operacioneve kirurgjikale, operacione të cilat i zhvillonte në sallën e urgjencës së spitalit nr.2 në Tiranë.
Akuza
Pak javë më parë, në sektorin antikorrupsion pranë drejtorisë së policisë së Tiranës mbërritën informacione se një mjek kryente operacione kundrejt ryshfeteve. Menjëherë specialistët e këtij seksioni nisën hetimet për të verifikuar informacionin e mbërritur në rrugë operative. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para u dyshua se bëhej fjalë për mjekun kirurg Ardian Nelaj, i cili është shef i klinikës së spitalit të burgut në Tiranë. Ai veç detyrës në spitalin e burgut, dyshohet se kryente operacione në sallën e urgjencës së spitalit nr.2 në kryeqytet, gjë e cila sipas policisë nuk lejohej. Mjeku 38-vjeçar “gjurmonte” pacientë të cilët do të kryenin ndërhyrje kirurgjikale, dhe të afërmve të tyre ai dyshohet se iu kërkonte para në të kundërt nuk kryente operacionin. Familjarët e pacientit paguanin një shumë e cila varionte prej 20 mijë lekë të reja për një operacion. Pasi merrte paratë, kirurgu Nelaj dyshohet se operonte pacientët.
Arrestimi
Pas hetimeve, policia në bashkëpunim me prokurorinë ndërhynë për të kryer arrestimin e mjekut kirurg që dyshohet se ka kryer korrupsion. Ardian Nelaj u prangos ditën e djeshme nga policia e cila ushtroi dhe një kontroll të imtësishëm në zyrën dhe banesën e tij. Mjekut iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma e parave prej 545 000 lekësh, 760 Euro dhe 100 dollarë. Ndërkohë që policia nuk bëri të ditur se sa persona kanë paguar mjekun kirurg Ardian Nelaj për të bërë operacion. Por sipas policisë, një gjë e tillë është ende nën hetim. Dyshohet se ai kontaktonte me familjarët e të sëmurit dhe u kërkonte atyre para në këmbim të ndërhyrjes kirurgjikale, e cila bëhej në urgjencën e spitalit nr.2, në Tiranë dhe jo në klinikën ku kryente zyrtarisht profesionin mjeku Ardian Nelaj. Burime zyrtare nga policia thanë për “Shekullin” se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur skemën dhe numrin e pacientëve që kanë dhënë ryshfet te mjeku tashmë i arrestuar, ndërsa materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.
PRECEDENTË
ARRESTIMI NË FIER
Rreth një vit më parë, antikrimi ekonomik-financiar organizoi operacionin e koduar “VIPERA” i cili çoi në qeli mjekun kirurg Sotiraq Mone, 45-vjeç, lindur dhe banues në Fier. Ai u akuzua për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Policia bëri të ditur pas arrestimit të kirurgut se ai i kishte kërkuar një shumë prej 1200 eurosh pacientit me iniciale B.C, i cili ishte shtruar në spitalin e Fierit prej disa javësh. Pacienti i kishte dhënë doktorit në fillim shumë prej 600 eurosh dhe kërkonte të dilte nga spitali, por mjeku nuk plotësonte fletë daljen pa marrë dhe pjesën tjetër të eurove.
MJEKU UROLOG
Mjeku urolog Kastriot Dautaj, njëherazi pedagog në fakultetin e mjekësisë, u arrestua rreth katër muaj më parë pasi kërkoi 500 mijë lekë për një operacion veshkash. Arrestimi i mjekut Dautaj u krye me 7 korrik të këtij viti, pasi policia siguroi informacione se aii kishte kërkuar babait të një pacienteje shumën prej 500 mijë lekë të vjetra për të kryer një operacion veshkash. Për të shpëtuar jetën e së bijës, i moshuari kishte siguruar paratë dhe ia dërgoi mjekut në zyrën e tij. Por sapo ka dalë nga zyra, babai i pacientes, ka ndërhyrë policia e cila ushtroi menjëherë një kontroll dhe gjeti shumën e parave.