I dënuari fiton gjyqin në Strasburg për kushte më të mira në burg
Laureta Rryçi
Tiranë - Ilir Dybeku është i vetmi i dënuar shqiptar që ka marrë guximin të ankohet në Gjykatën e Strasburgut për kushtet e paraburgimit në Shqipëri. Kërkesa e tij, që në fillim nuk u mor seriozisht nga askush, mori përgjigje zyrtare nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut. Strasburgu e detyroi shtetin shqiptar që t’i krijonte kushtet e duhura këtij të dënuari dhe se ankesa e tij qëndronte. Falë këtij vendimi Dybekut i ka ndryshuar shumë jetesa, edhe pse vazhdon të qëndrojë brenda qelisë. Pas vendimit të Strasburgut, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, urdhëroi që të merreshin me rastin konkret për të mos i shkaktuar ndonjë gjobë shtetit për moszbatim të vendimit. Mirëpo, duke qenë se pjesa më e madhe e burgjeve në vendin tonë vuajnë nga fenomeni i mbipopullimit, një kërkesë të tillë i bie ta bëjnë më shumë se gjysma e të dënuarve. Për zbatimin e këtij urdhri mësohet se ka bërë një inspektim edhe Avokati i Popullit. Komisionarët kanë konstatuar se të dënuarit i ishte ndryshuar vërtet mënyra e jetesës falë vendimit të Gjykatës së Strasburgut.
Ankesa
Ishte harruar në qelitë e paraburgimit, edhe pse për të kishte një vendim të formës së prerë. Kjo ishte historia e përkohshme e të dënuarit Ilir Dybeku, derisa mori guximin të ankohej në Gjykatën e Strasburgut. Thelbi i ankesës së Dybekut ka qenë mospërshtatshmëria e gjendjes së tij shëndetësore me kushtet në të cilat ai ishte vendosur në ambientet e paraburgimit dhe burgjeve shqiptare. I dënuari kishte shfaqur çrregullime të rënda mendore gjatë vuajtjes së dënimit penal, por pavarësisht kësaj ai mbahej në një dhomë burgu me të dënuar të tjerë të shëndetshëm, dhe nuk i ofrohej ndihmë mjekësore në një institucion të veçantë.
Vendimi
Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata për të Drejtat e Njeriut me anë të vendimit të saj konstatoi shkelje te Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore dhe ngarkoi Shtetin Shqiptar që krahas pagimit të detyrimeve financiare, të përmirësonte jo vetëm situatën e trajtimit të të dënuarit Ilir Dybeku, por dhe sistemin penitenciar dhe atë mjekësor në tërësi që ofrohet për të dënuarit. Ne këtë vendim, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut iu referua një sërë raportesh të Komitetit kundër Torturës së Këshillit të Europës (CPT), të cilat nxirrnin në pah mangësi të trajtimit të të dënuarve me probleme mendore dhe të kushteve të disa burgjeve tona.
Ndryshimi
Pas këtij vendimi i dënuari Dybeku u vendos në Burgun e Krujës me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Burgu i Krujës, sipas urdhrit të ministrit të Drejtësisë, është kategorizuar si burg që strehon të dënuar të moshuar dhe ata me probleme mendore. Ky institucion nuk ka mbipopullim. Stafi mjekësor i burgut ka vendosur një trajtim ndryshe mjekësor për të dënuarin, i cili ka rezultuar mjaft i efektshëm. I dënuari ka filluar ta marrë rregullisht mjekimin dhe ka shfaqur shenja përmirësimi të gjendjes së tij. Tani Dybeku ndan dhomën e vuajtjes së dënimin me të dënuar të tjerë dhe nuk ka shfaqur asnjë konflikt me bashkëvuajtësit. Madje ka filluar të ndjekë rregullisht rregulloren e brendshme të burgjeve duke shfrytëzuar edhe orarin e ajrimit.
10 Tetor 2008