E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësimi i fletëve të votimit nis nga 25 tetori - Materialet zgjedhore shkojnë në Arkivën e Shtetit

27-09-2011 / Gazeta 55

KQZ merr vendimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar 25 tetorin si datën për nisjen e procesit të hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Në mbledhjen e djeshme, KQZ ka votuar unanimisht që procesi i djegies së fletëve të votimit të nisë nga 25 tetori deri në 31 dhjetor të këtij viti.
Akti i miratuar me të shtatë votat e anëtarëve të KQZ-së është në zbatim të nenit 178 të Kodit Zgjedhor “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore”, përcakton pastrimin e kutive të materialeve zgjedhore, por edhe atyre të fletëve të votimit.
Neni 178 i Kodit Zgjedhor që flet për ruajtjen e dokumentacionit, në pikën 6 të tij, parashikon që “pas përfundimit të afatit për ankimet, KQZ hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”.
Mbledhja u shoqërua me debate midis palëve pasi PS kundërshtonte projektvendimin që i hapte rrugë asgjësimit të fletëve dhe materialeve zgjedhore, pasi sipas pretendimeve të saj përfaqësuesit e PS kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurori për parregullsi të procesit zgjedhor të 8 majit dhe mos-rakordim shifrash, për të cilin organi i akuzës nuk është shprehur akoma.
Anëtari i KQZ-së Klement Zguri “djegia e fletëve të votimit të 8 majit, është një detyrim ligjor, ndaj edhe të gjithë anëtarët e KQZ-së me vote konsensuale, vendosen të zbatojnë këtë detyrim”.
Sipas draftit që u miratua edhe me votat e opozitës, KQZ do të vërë në dispozicion rreth 1 milion e 800 mijë lekë për këtë proces që pritet të zgjasë 60 ditë. Fondi do të destinohet për lëndën djegëse dhe pagat e punonjësve që do të zbrazin kutitë. Por ndryshe nga fletët e votimit të 28 qershorit 2009, që mbajtën peng politikën shqiptare përreth dy vjet, kësaj here fletët e votimit do të digjen shumë shpejt.
Me këtë projekt vendim të KQZ-së evitohet përsëritja e situatës së vitit 2009 ku debati politik bëri që procedura për djegien e fletëve të votimit të zbatohej vetëm 6 muaj para zgjedhjeve lokale, afati limit për të pasur gati materialet zgjedhore ku përfshihen fletët e votimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›