E Diel, 1 Nëntor 2026

Sabian Meta, 9-vjeçari i zhdukur prej 10 ditësh, familja bën apel

Sabian Meta, djali i zhdukur

DURRES Prej 10 ditësh nuk ka asnjë shenjë për fatin e 9-vjeçarit Sabian Meta, banor i fshatit Baromet në komunën Sallmone në Durrës. Që prej 25 shkurtit, kur u pa për herë të fundit i mituri, familjarët e tij dhe banorët e fshatit janë angazhuar për gjetjen e të miturit, duke zhvilluar kërkime përgjatë lumit Erzen, si dhe në fshatrat që janë përreth zonës. Për herë të fundit, 9-vjeçari është parë nga nusja e xhaxhait të tij në breg të lumit Erzen, i cili ndodhet vetëm pak metra larg banesës së familjes Meta. Arjana Meta, personi që e ka parë për herë të fundit Sabianin, tregon se 9-vjeçari ishte duke mbledhur kanaçe përgjatë bregut të lumit. Po kaloja bregut të lumit dhe pashë Sabianin. E pyeta se çfarë po bënte aty dhe i thashë të kishte kujdes se mos rrëshqiste dhe binte në lumë. Mirë më tha. Dhe prej atij momenti nuk e kam parë më, tregon nusja e xhaxhait të tij. Banorët e të gjithë fshatit që nga dita që është zhdukur 9-vjeçari, kanë harruar gjithçka dhe janë vënë në kërkim të tij. Ata i nisin kërkimet që kur zbardh dita dhe i ndërpresin ato kur perëndon dielli, për ti rinisur të nesërmen. Jemi të vendosur që të vijojmë kërkimet për gjetjen e Sabianit. Nuk do ti ndërpresim ato deri sa ta gjejmë djalin të vdekur apo të gjallë, deklaron Isai, banor i fshatit Baromet. Tri ditët e para në lumë kërkuan dhe polumbarët, por asnjë shenjë nuk është gjetur nga fëmija. I ati i Sabianit, i tronditur për zhdukjen e djalit të madh, ka hedhur dhe dyshimet për një rrëmbim të të birit. Lulzimi tregon se çdo ditë së bashku me banorët e fshatit kërkon përgjatë brigjeve të lumit Erzen si dhe në fshatrat përreth, por nuk kanë mundur të bien në gjurmët e të birit, duke shtuar dyshimet e një rrëmbimi nga persona ende të panjohur. Ai bën apel që autoritetet shtetërore të angazhohen për gjetjen e Sabianit, fati i të cilit nuk dihet prej 10 ditësh tashmë.      l.m

Varfëria
Sipas familjarëve, Sabiani nuk shkonte në shkollë për shkak të problemeve shëndetësore që ai kishte, por e kalonte ditën duke mbledhur kanaçe përgjatë brigjeve të lumit Erzen, me qëllim për të ndihmuar të atin e tij, zonë në të cilën humbi dhe gjurmët. Që prej zhdukjes së Sabianit kryefamiljari tregon se ka lënë punën që bënte, duke u angazhuar vetëm në kërkimin për gjetjen e të birit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›