Topalli takon deputetët gjermanë, kërkohet liberalizimi i vizave
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me një grup deputetësh gjermanë që po vizitojnë Tiranën zyrtare. Delegacioni parlamentar gjerman i shprehu kryetares së Kuvendit kënaqësinë që vizitojnë Shqipërinë në momentin kur po bëhet anëtare e NATO-s. “Ne e gjejmë Shqipërinë një vend me progres të mrekullueshëm, me stabilitet ekonomik, me një siguri të brendshme dhe infrastrukturë në ndryshim të përditshëm”, - thanë deputetët. Ata iu drejtuan kryetares së Kuvendit me mbresat që Kryeministri i Shqipërisë kishte lënë gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar nga fondacioni “Konrad”. Deputetët iu referuan citimit të fjalëve të Kryeministrit Berisha nga Kancelarja Merkel para Parlamentit gjerman se “historia e NATO-s është historia e aleancës që kthen armiqtë në miq”. Nga ana e saj, Topalli iu drejtua deputetëve gjermanë, si përfaqësues të zonave të ish-Gjermanisë Lindore, që ndryshe nga të tjerët, kishin njohur diktaturën dhe izolimin, të ushtronin influencë pranë Bundestagut dhe të mbështesnin Shqipërinë në procesin e lehtësimit të vizave dhe në tërësi integrimin evropian të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit theksoi se shqiptarët janë të vendosur të fitojnë të gjithë garat, ku gara e ardhshme është realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 28 qershor.
Zgjedhjet, laburistët anglezë trajnojnë anëtarët e LSI-së
Instituti IDEA zhvilloi zbatimin e projektit të përbashkët që Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet këtij instituti ka nisr në bashkëpunim me Partinë Laburiste Angleze, “Albanian Youth Policy Development”, për trajtimin e anëtarëve të LSI-së. Qëllimet kryesore të këtij projekti janë që nëpërmjet dialogut dhe shkëmbimit të ideve dhe informacionit të mundësojnë hartimin e një strategjie rinore mbarëkombëtare, strategji e cila do të paraqitet ne konventën elektorale të LSI-së dhe që do të përdoret nga kjo e fundit si udhërrëfyes politik në programin qeverisës së kësaj të fundit për çështjet e politikave rinore. Së dyti, është trajnimi i mijëra të rinjve nga specialistë të institutit IDEA dhe Partisë Laburiste për fushatën elektorale për zgjedhjet e qershorit. Ndalesa e parë e këtij projekti ishte Berati. Përfaqësuesit e IDEA-s, Dorian Duçka, Panajot Soko, Almir Rrapo dhe Juliana Hoxha, u takuan me të rinj të këtij qyteti, ku folën për problematikat rinore. Metodologjitë e prezantuara kishin në përbërje të gjitha teknikat që Partia Laburiste angleze ka përdorur gjatë fushatave.