E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sabri Koçi çmim pas vdekjes

Tiranë -Në kujtim të figurës së shquar të Islamit në Shqipëri, Hirësisë së tij H. H. Sabri Koçit, Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me vendim nr. 23, dt. 09.06.2009 i ka dhënë çmimin vlerësues: “Pishtar i ringjalljes Islame në Shqipëri” (pas vdekjes). Në këtë eveniment të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në Muzeun Historik Kombëtar me dt. 13.06.2009 në Tiranë, morën pjesë personalitete të ndryshme nga vendi, ambasadorë, përfaqësues të pushtetit, Komitetit Shtetëror për Kultet, intelektualë, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare, etj.

Në këtë program përshëndetën H. Selim Muça - Kryetar i KMSH-së, H. Dede Reshat Bardhi – Kryegjysh i Bektashive, H. Faik Hoxha - Myftiu i parë i Shkodrës, Nexhat Gjuzi - përfaqësues i Komitetit Shtetëror për Kultet, e më pas referoi Prof. Islam Dizdari. Programi u pasua me disa lirika fetare (ilahi) kënduar nga nxënës të Medresesë së Tiranës dhe u vijua me një dokumentar lidhur me jetën dhe veprimtarinë e Haxhi Hafiz Sabri Koçit.

Së fundi Kryetari i KMSH-së H. Selim Muça i ka dorëzuar të birit të Hafiz Sabriut, z. Munir Koçi çmimin “Pishtar i ringjalljes Islame në Shqipëri”. Njëkohësisht Kryesia e KMSH-së ka shpallur si titull vlerësues të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, çmimin “Haxhi Hafiz Sabri Koçi” (i pari i këtij lloji për këtë institucion), në shenjë mirënjohje, i cili do t’u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, njerëzve të fesë, shkencës, artit, kulturës, arsimit dhe politikës, për vepra dhe veprimtari të çmuara Islame dhe kombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›