E Diel, 1 Nëntor 2026

Sadako Ogata: Japonia është e gatshmë për të ndihmuar zhvillimin e Shqipërisë

Kryeministri Berisha, në vazhdim të vizitës së tij në Japoni, zhvilloi sot një takim me Presidenten e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), zonjën Sadako Ogata.

Kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Ogata për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme që ajo ka dhënë për Shqipërinë. Kryeministri tha se zonja Sadako Ogata është një mikeshë e madhe për shqiptarët dhe se është e mirëpritur të vizitojë Shqipërinë.

Më tej, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare. Rezultati i këtyre reformave, u shpreh Kryeministri ka krijuar një klimë të re biznesi në Shqipëri, duke e bërë vendin më tërheqës për investimet e huaja.

Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit dhe me suksesin e dukshëm të disa prej reformave  të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si projektet për taksat elektronike, prokurimet elektronike, taksën e sheshtë 10 përqind, nisma "Shqipëria 1 euro", rritja ekonomike prej 6 përqind, suksesin në luftën kundër korrupsionit, informalitetit, krimit të organizuar, etj.. Shqipëria, tha Kryeministri po lë pas ditë të vështira dhe po orientohet drejt një të ardhme euroatlantike.

Duke e falënderuar për ndihmën e madhe dhe asistencën 15 vjeçare që Japonia ka dhënë për Shqipërinë, Kryeministri Berisha kërkoi nga zonja Ogata që kjo ndihmë të vazhdojë dhe më tej. Gjatë takimit, Kryeministri u ndal dhe në interesin e shfaqur nga një kompani japoneze për të investuar në Shqipëri në fushën e shëndetësisë.

Kryeministri Berisha e njohu zonjën Ogata me takimin shumë të frytshëm që zhvilloi me Kryeministrin Fukuda, ndërsa shprehu falënderimet e tij për ndihmën në formën e një kredie të butë prej rreth 12 miliard jen, që qeveria japoneze i ka akorduar Shqipërisë.

Në sajë të reformave të ndërmarra dhe rezultateve të dukshme që këto reforma kanë sjellë në këto dy vitet e fundit, Kryeministri Berisha shprehu besimin se Shqipëria do të marrë ftesën për antarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit.

Nga ana e saj, Presidentja e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sadako Ogata u shpreh se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe me potenciale shumë të mëdha natyrore. Zonja Ogata e siguroi Kryeministrin Berisha se agjencia që ajo drejton synon të zgjerojë bashkëpunimin me Shqipërinë, me anë të programeve të ndryshme. Në këtë takim u diskutua dhe për shqyrtimin e mundësive për dhënien e kredive të buta në projektin për ndërtimin e rrugëve dytësore. Presidentja e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sadako Ogata tha se Japonia është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë edhe në projekte të tjera që lidhen me arsimin, trajnimin e specialistëve shqiptarë në fusha të ndryshme, për shfrytëzimin e pasurive mineraleve si dhe në turizëm.

Më tej, bashkëbiseduesit u ndalën në zhvillimet në rajon dhe kryesisht në çështjen e Kosovës. Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia e Kosovës do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqipëria, tha më tej Kryeministri është e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë dhe se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona nuk duhet të ndikohen aspak nga çështja e Kosovës.

Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) ka dhënë një kontribut tepër të rëndësishëm prej vitesh për Shqipërinë. Më shumë se 240 specialistë shqiptarë janë trajnuar nga kjo agjenci, në Japoni, për specialitete të ndryshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›