Kryeministri Berisha takon Presidentin e Senatit Japonez Eda Satsuki
Kryeministri Berisha pati sot një takim të ngrohtë e miqësor në ambientet e senatit japonez me Presidentin e tij Eda Satsuki.
Kryeministri Berisha e falënderoi për klimën e ngrohtë që gjeti gjatë kësaj vizite historike në Japoni, nga takimi me Kryeministrin Fukuda dhe tek zyrtarët e lartë të qeverisë, si dhe me përfaqësues të biznesit dhe mediave. Ai u shprehu se ishte shumë mirënjohës për ndihmën e Japonisë në këto 15 vjet ndaj Shqipërisë. Kryeministri shprehu falënderimet për Kryeministrin Fukuda dhe vlerësoi kredinë e butë që qeveria japoneze i ka akorduar Shqipërisë për sistemin e kanalizimit të ujërave të zeza të Tiranës, si dhe për rritjen e mbështetjes për Shqipërinë.
Kryeministri i bëri një prezantim të reformave dhe të potencialeve të Shqipërisë, si dhe përparësinë gjeografike që ajo ka afër tregut europian dhe pa dogana për shkak të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Hapja e korridoreve ndërballkanike dhe rrugëve me Kosovën, tha Kryeministri, e bën Shqipërinë pikë kyçe për zhvillimin e rajonit, veçanërisht portet shqiptare bëhen pika më e afërt nga Sofia në Novi Pazar. Kryeministri e njohu zotin Satsuki me masat e ndërmarra nga qeveria për dixhitalizimin e procedurave që reduktojnë pengesat burokratike, me reformën fiskale si vendosjen e taksës së sheshte prej 10 për qind, uljen taksave për biznesin e vogël, uljen e tatimit mbi fitimin, uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore etj., duke e shndërruar Shqipërinë në vendin me barrën më të ulët fiskale në Europë. Gjithashtu Shqipëria, theksoi Kryeministri, ofron tregun më të ri, dinamik e të favorshëm të punës në Europë.
Presidenti i Senatit u shpreh i mahnitur me axhendën e ngjeshur të Kryeministrit Berisha dhe theksoi që një axhendë e tillë tregon një energji të madhe drejt progresit dhe zhvillimit ekonomik. Zoti Satsuki vlerësoi potencialet e Shqipërisë, veçanërisht atë turistik dhe në fushën e minierave. Ai u shpreh se Shqipëria ka hyrë në interesin më të madh të investitorëve japonezë dhe se interesi i treguar prej tyre gjatë prezantimit, të bërë nga Kryeministri Berisha në seminarin me përfaqësues të biznesit japonez, e vërteton këtë më së miri.
Kryeministri Berisha e ftoi zotin Satsuki të vizitojë Shqipërinë.