Vendimi i qeverisë, procedura e shitjes së pronës shtetërore
Laureta Rryçi
Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, e pranon dosjen e vlerësimit për objektin që do të privatizohet, nëse për këtë objekt ka dokumentacion
të rregullt, i cili u ka kaluar strukturave përkatëse, të përcaktuara në këtë vendim. Në rast të kundërt, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, kërkon plotësimin e dokumentacionit. Shitja e objektit bëhet, si më poshtë vijon: Për rastet kur konfirmohet se objekti ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara,
shitja bëhet pa ankand dhe subjektet e shpronësuara të truallit, në zbatim të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerën fillestare. Në këtë rast, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, afishon një njoftim në mjediset e saj, për një afat 20–ditor, vetëm për pronarët e truallit,
ndërsa dega e shoqërive publike në mjediset e saj dhe në objekt.
Dokumentacioni për dhënien e së drejtës së parablerjes për objektin, që privatizohet, për çdo rast, shqyrtohet e konfirmohet me procesverbal të veçantë dhe miratohet nga komisioni i ngritur nga drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes të Pronave Publike, në Ministrinë e Financave. Në rastet kur subjektet e shpronësuara të truallit, pas afishimit të njoftimit sipas shkronjës “a” të kësaj pike, nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, nuk kanë paraqitur dokumentet e pronësisë, deri në afatin e përcaktuar në njoftim, bëhet një njoftim i dytë, në dy gazeta me qarkullim kombëtar, duke i përcaktuar një afat të ri, prej 30
(tridhjetë) ditësh, nga data e njoftimit të parë. Nëse edhe në këtë afat të dytë pronari nuk paraqitet, atëherë kryhet shitja e objektit dhe e truallit me ankand, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës, i shkon drejtpërdrejt pronarit për
kompensim financiar. Në rastet kur konfirmohet se objekti, që privatizohet, nuk ndodhet në truallin e subjekteve
të shpronësuara, si dhe për rastet kur AKKP-ja nuk është në gjendje të konfirmojë pronësinë e truallit për objektin që privatizohet, ai i nënshtrohet ankandit, sipas procedurave të këtij vendimi. Kur në datën e zhvillimit të ankandit paraqitet subjekti i shpronësuar i truallit me dokumentacionin
ligjor, që vërteton pronësinë e truallit të objektit, atëherë subjekti i shpronësuar gëzon të drejtën e parablerjes, me vlerën fillestare të objektit. Në rastet e shpalljes fitues, ish-pronarëve u zbritet vlera e truallit, e njohur apo e kthyer, me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit, miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Procedurat e publikimit
Procedurat e publikimit fillojnë pasi të jenë dorëzuar, në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dokumentet e vlerësimit të objektit. Vlera e fillimit të ankandit është VAM-i, (mjete kryesore + mjete xhiroje + vlera e truallit). Ankandi zhvillohet vetëm për vlerën e mjeteve kryesore + vlerën e truallit dhe vlera e mjeteve të xhiros shtohet sipas inventarit fizik, në çastin e
dorëzimit të objektit. Shitja e pasurisë së luajtshme bëhet vetëm me ankand sipas procedurave të këtij vendimi. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, pasi ka pranuar dokumentet e vlerësimit të objektit, ndërmerr hapat përkatës për publikimin e tij për
privatizim, si më poshtë vijon: Periudha e botimit zgjat 21 (njëzet e një) ditë nga data e botimit të parë dhe bëhet në çdo
botim të Buletinit të Njoftimeve Publike, brenda këtij afati. Dita e parë e botimit është data e përcaktuar në njoftimin që Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dërgon për botim. Brenda këtij afati, ky njoftim botohet edhe në një gazetë, me qarkullim kombëtar. Botimin e listës së objekteve, që do të privatizohen, dhe shpalljen e kësaj liste në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, me të dhënat për çdo objekt. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave,
fillimisht, afishon njoftimin në mjediset e saj, për zhvillimin e ankandit të tyre, ndërsa dega e shoqërive publike, në prefekturë, e afishon njoftimin në mjediset e veta, në ndërmarrjen në
administrim të së cilës është objekti, në objekt, si dhe në mjediset e organit të qeverisjes vendore (bashki, komunë), në territorin e të cilit ndodhet objekti, që privatizohet, sipas të dhënave (afishe) të dërguara nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Degët e shoqërive publike,
në prefekturë, dërgojnë zyrtarisht procesverbalin për vendosjen e afisheve, brenda afatit të botimit në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Njoftimi për botim përmban të dhënat e mëposhtme: Vendin, datën dhe orën e zhvillimit të ankandit; Emërtimin dhe vendndodhjen e objektit, që privatizohet; Vlerën fillestare të ankandit; Sipërfaqen e përgjithshme dhe atë nën objekt; Emrin dhe mbiemrin e pronarit të truallit, nëse ka etj. Pjesëmarrësit në ankand, pas regjistrimit të kërkesës në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, kanë të drejtë të studiojnë dokumentacionin e vlerësimit, që ndodhet i depozituar në këtë drejtori, si dhe të njihen me gjendjen fizike të objektit.
Dokumentet
Pjesëmarrësit në ankand duhet t’i paraqesin në vendin, datën dhe orën e njoftuar, komisionit të ankandit këto dokumente:
Kërkesën me shkrim për blerjen e objektit të regjistruar në protokollin e Ministrisë së Financave; Garancinë bankare (apo mandatpagesën), që vërteton ngurtësimin e 20 për qind të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë, për llogari të Ministrisë së Financave. Subjekti i shpronësuar i truallit, së bashku me kërkesën për blerjen e ndërmarrjes ose të objektit, që shtrihet në truallin, ish-pronë të tij, duhet të paraqesë në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dokumentacionin e mëposhtëm: Kërkesën me shkrim për blerjen e objektit të regjistruar në protokollin e Ministrisë së Financave; Garancinë bankare (apo mandatpagesën), që vërteton ngurtësimin e 20 për qind të vlerës fillestare në lekë, vetëm për objektin, për llogari të Ministrisë së Financave, detyrimisht, brenda afatit të pranimit të kërkesave; Vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të shoqëruar me planvendosjen e pronës, ku përcaktohet se ai është subjekt pronar i tokës; Dëshminë e trashëgimisë, prokurë përfaqësimi etj. nëse ka të tilla.
Kush ka prioritet
Kur sipërfaqja e tokës, pronë e subjektit të shpronësuar, shtrihet në mbi 70 % të sipërfaqes së truallit nën objekt, për objektin, që privatizohet, e drejta e parablerjes shtrihet në të
gjithë objektin, nëse pjesa tjetër nuk ka pronarë. Në të kundërt, pavarësisht se njëri nga ish-pronarët apo bashkëpronarët e plotësojnë kushtin e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike dhe pjesa tjetër ka pronarë trualli të identifikuar, objekti privatizohet vetëm në bashkëpronësi, me marrëveshje
të dokumentuar. Nëse nuk arrihet marrëveshje e dokumentuar ndërmjet bashkëpronarëve brenda një afati 30 - ditor të publikimit me afishe, objekti u nënshtrohet procedurave të ankandit dhe ish-pronarët kompensohen financiarisht sipas vlerës së truallit të vlerësuar sipas hartës së vlerës. Në rastet e shpalljes fitues të ankandit, që zhvillohet për shitjen e objektit të njërit prej ish-pronarëve të truallit, në pagesën e vlerës së truallit zbritet vlera e truallit, që i përket pjesës së tij, e njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, e vlerësuar
me çmimet e hartës së vlerës së truallit. Për rastet kur, për objektin që privatizohet, ka një pronar apo disa bashkëpronarë, të cilët kanë një marrëveshje të dokumentuar dhe gëzojnë të drejtën e parablerjes, por një pjesë e truallit,
sipas genplanit të privatizimit, nuk bie në pronën e ish-pronarëve të konfirmuar shtetërorë, veprohet, si më poshtë vijon:
Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike ua ofron për blerje bashkëpronarëve, që gëzojnë të drejtën e parablerjes së objekteve. Në rast se ish-pronarët shprehen me shkrim se nuk janë dakord ta blejnë këtë sipërfaqe trualli, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike i dërgon një shkresë, të shoqëruar me kopje të genplanit, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për përdorimin e kësaj sipërfaqeje për fond kompensimi për ish-pronarët, duke vënë në dijeni edhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në rastet kur objektit i është ulur vlera e fillimit të ankandit, subjekti i shpronësuar, për të ushtruar të drejtën e parablerjes, duhet të bëjë pagesën e plotë, sipas vlerës fillestare dhe jo sipas
vlerës së ulur. Kur për objektet e shpallura për shitje, sipas procedurave të këtij vendimi, nuk paraqitet asnjë kërkesë për blerjen e tyre, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, cakton një +VAM tjetër, me të ulët se VAM-i fillestar, për privatizimin e
objektit.
Ulja e VAM-it të objekteve bëhet sipas këtij kategorizimi:
Për ndërmarrjet ose objektet, deri në 30%;
Për makineritë, pajisjet, inventarin ekonomik, mjetet e transportit, mjetet e xhiros, deri 50%. Në këto raste, objekti u nënshtrohet edhe një herë të gjitha procedurave të shitjes, të
parashikuara në këtë vendim. 16. Për rastet kur mbetet vetëm një blerës, si në publikimin me vlerë fillestare, ashtu edhe
për rastin kur objekti është i publikuar me ulje VAM-i, bëhet një njoftim i ri, në një gazetë kombëtare, për një periudhë l0-ditore, si dhe vendoset një njoftim me afishe pranë mjediseve, ku do të kryhen procedurat e zhvillimit të ankandit. Pas këtij publikimi, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes se Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, realizon shitjen e objektit.
Si veprohet për rastet kur nuk është realizuar shitja
Objektet ndërtimore, të cilat i kanë kaluar të gjitha fazat e shitjes, kthehen në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila ia dërgon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për t’i kaluar në fond kompensimi fizik për subjektet e shpronësuara. Makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros, inventar ekonomik, të cilat nuk janë shitur, pasi janë
zbatuar fazat e shitjes, sipas VAM-it fillestar dhe VAM-it të ulur, kthehen nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, në degën e shoqërive
publike përkatëse. Komisioni i ankandit kryesohet nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dhe ka në përbërje këta anëtarë: Përfaqësuesin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; Përfaqësuesin e organit që ka në pronësi, ruajtje apo në varësi administrative objektin. Anëtarët e komisionit të ankandit duhet të pajisen me autorizimin përkatës dhe pjesëmarrja e tyre, në datën dhe orën e caktuar për ankand, është e detyrueshme. Në rast se në ditën e njoftuar për zhvillimin e ankandit nuk paraqitet njëri nga anëtarët e komisionit, anëtarët e tjerë të pranishëm të komisionit administrojnë kërkesat e paraqitura për blerje dhe komisioni njofton një ditë tjetër për zhvillimin e ankandit, por jo më shumë se 10 (dhjetë) ditë
nga data e parë e njoftuar për ankand. Nëse edhe në njoftimin e dytë nuk paraqitet njëri nga anëtarët e komisionit të ankandit, atëherë Drejtori i Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, plotëson komisionin e ankandit me një anëtar brenda strukturës së drejtorisë dhe urdhëron zhvillimin e ankandit.
Procedura pas mbarimit të ankandit
Pjesëmarrësve të tjerë në ankand, përveç fituesit, u kthehet 20% e vlerës fillestare, të ngurtësuar paraprakisht. Pjesëmarrësit në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë
për vlerën e objektit të shpallur për shitje, i konfiskohet 20 % e garancisë bankare, e ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand. Personi, që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit, nëpërmjet ankandit, ose të drejtën e parablerjes pajiset nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e
Financave, me autorizim për kalim pronësie, ku përcaktohen qartë detyrimet e blerësit. Blerësi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e zhvillimit të ankandit, është i detyruar të bëjë pagesën, vetëm me lekë, për pjesën e mbetur, sipas çmimit të arritur në ankand, për objektin dhe truallin. Ish-pronarët e truallit, të cilët janë shpallur fitues me të drejtën e parablerjes për objektin apo ndërmarrjen që privatizohet, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit për kalim pronësie nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, janë të detyruar të bëjnë pagesën e vlerës së mbetur të objektit, me letra me vlerë dhe
bono privatizimi.
14 Korrik 2010