Vritet 40-vjeçari në banesën e fqinjit, shoqërohet një vajzë
MAT - Një 40-vjeçar është ekzekutuar në shtëpinë e bashkëfshatarëve të tij, në Baz të Matit. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë lokale. Këto të fundit thanë gjatë ditës së djeshme se viktima është Flamur Bruka, 40 vjeç, baba i katër fëmijëve. Për këtë ngjarje policia mësohet se ka shoqëruar një vajzë 26-vjeçare me inicialet F. Gj. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta të policisë që kanë nisur hetimet. Menjëherë policia ka shoqëruar vajzën e re si autore të dyshuar. 40-vjeçari është qëlluar me një breshëri automatiku dhe ka humbur jetën menjëherë. Trupi i tij është gjetur në një pyll afër fshatit Baz, në orën 09:00 të mëngjes, pak kohë pas ngjarjes së rëndë. Siç është bërë e ditur nga policia, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 06:30 të ditës së djeshme. Trupi është gjetur nga disa fshatarë që më pas kanë njoftuar policinë për krimin e ndodhur.
Ngjarja
Flamur Bruka, 40 vjeç, është gjetur i vrarë mëngjesin e djeshëm në një fshat të Matit. Burime zyrtare nga policia kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Bazë dhe është shoqëruar dhe një person i dyshuar. Krimi i rëndë dyshohet se ka ndodhur rreth orës 06:30 në një banesë në Bazë. Trupi i pajetë u gjet po dje rreth orës 09:00 të mëngjesit. Pasi policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, me ndihmën e banorëve, ka identifikuar dhe trupi e viktimës. Ai ishte Flamur Bruka, 40 vjeç, banues në të njëjtin fshat. Ekspertiza paraprake ka arritur në përfundimin se Bruka ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra nga një armë kallashnikov. Policia shkoi në vendngjarje dhe ka hetuar. Pak orë pas krimit në polici ka përfunduar një grua e fshatit Baze, shtetasja me inicialet F. Gj., 26 vjeçe. Policia dyshon se personi mund të ketë dijeni rreth ngjarjes dhe ka ngritur gjithashtu dhe dyshimet se ajo mund të jetë autorja e mundshme e vrasjes.
Hetimet
Por, pas disa orë hetimesh, policia ka arritur në përfundimin se, 26-vjeçarja e shoqëruar dyshohet se ka kryer krimin. Sipas të dhënave të policisë, Flamur Bruka është vrarë me automatik nga 26-vjeçarja, banore e të njëjtit fshat. Ajo është arrestuar nga policia, e cila nuk i bën të ditura motivet. Por, të kontaktuar nga media, të afërmit e së akuzuarës kanë deklaruar se Bruka i kishte terrorizuar ata që prej një jave. Ndërsa mëngjesin e djeshëm ai ka shkuar në banesë ndërsa vajza 26-vjeçare ndodhej vetëm. Disa minuta më vonë ajo e ka qëlluar me armë në banjën e shtëpisë.
Vrasja e dyfishtë në Korçë, ende asnjë pistë apo i dyshuar
KORÇË - Ende asnjë pistë apo i dyshuar për ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur në fshatin Pojan të Korçës. Ngjarja e rëndë, që ndodhi në kohën kur po luhej finalja e Botërorit të futbollit, solli vdekjen e Altin Liçollit dhe të Arben Nicajt. Kështu, edhe pse tri ditë pas vrasjes policia nuk ka mundur të zbulojë as motivet e as autorët. Pavarësisht hetimeve dhe shumës prej 3 milionë lekësh të vëna në dispozicion për informatorët, deri tani mësohet se nuk ka asnjë të dhënë për ekzekutorët e Arben Nicajt dhe të Altin Liçollit. Dy personat u qëlluan me breshëri automatiku ndërsa ishin në dyqanin e Liçollit, në fshatin Pojan. Policia ka shoqëruar dhjetëra banorë, por burime zyrtare bëjnë të ditur se ende nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen. Të gjithë banorët janë marrë në cilësinë e dëshmitarëve.
Vrasjet e ndodhura
Elbasan, 7 korrik
Vladimir Rama, 24 vjeç, ka mbetur i vdekur pasi është goditur dy herë me thikë nga Adriatik Menallaj, 27 vjeç, pas një grindjeje për motive të dobëta. E gjithë ngjarja ka ndodhur në lokalin ku qëndronin dy të rinjtë.
Patos, 7 korrik
Përleshje me thika mes një grupi të rinjsh në Patos, ku mbeti i vrarë 17-vjeçari Daniel Rrapushi, ndërsa shoku i tij, Rauf Bregu, u transportua në gjendje të rëndë në spital. Dy djemtë janë sulmuar nga katër persona.
Tiranë, 8 korrik
Ekzekutohet në qendër të kryeqytetit 46-vjeçari Franc Konomi, i njohur si person me precedentë penalë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, në afërsi të Ushtarit të Panjohur, ndërsa policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve.
Malësi e Madhe, 8 korrik
Një grindje për kanalin vaditës të tokave ka shkaktuar viktimën e radhës në Dukagjin. Ndoc Prroj, 60 vjeç, është ekzekutuar në oborrin e shtëpisë mbrëmjen e së mërkurës nga një djali i një bashkëfshatari të tij.
Malësi e Madhe, 9 korrik
Një burrë ka ekzekutuar të shoqen në prani të dy fëmijëve. Pas debateve të vazhdueshme për shkak të xhelozisë, Rrok Lekani, 52 vjeç, ka rrëmbyer automatikun dhe ka qëlluar me breshëri mbi bashkëshorten, Margarita Lekani.
Lushnjë, 9 korrik
Edhe qyteti i Lushnjës është tronditur nga një vrasje. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me një pistoletë me silenciator 29-vjeçarin Gerti Lala. Ngjarja ndodhi në shkallët e pallatit ku banonte i riu.
Berat, 10 korrik
Dy ngjarje të rënda tronditën Beratin. Tre persona kanë tentuar të vrasin biznesmenin Ardian Protoduari. Vetëm pak orë më vonë, sërish në Berat, tre persona kanë kërcënuar dhe qëlluar me pistoletë 43-vjeçarin Luan Hajdari.
Korçë, 11 korrik
Dy persona janë vrarë në fshatin Pojan të Korçës. Me disa plumba është ekzekutuar në vend një 32-vjeçar dhe një 40-vjeçar. Viktimat janë Altin Liçolli dhe Arben Nicaj, 40 vjeç, të dy banorë të fshatit Pojan.
14 Korrik 2010