Investimet, shkelen prioritetet e qeverisë
Qeveria ka shpallur si prioritete të saj dy sektorë të rëndësishëm, arsimin dhe shëndetësinë. Por të dhënat zyrtare tregojnë të kundërtën, pra këto prioritete janë shkelur. Konkretisht gjatë këtij 9-mujori, projektet në arsim dhe shëndetësi janë paraqitur problematike në realizimin e tyre. Një deklaratë e tillë është dhënë nga vetë zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Në një prononcim për mediat, ai ka shpjeguar se deri në fund të muajit shtator shpenzimet janë realizuar rreth 48 për qind. Por sipas tij, së shpejti pritet të ketë një rishikim fondesh. Zëvendësministri i Financave ka vënë ne dukje se gjatë këtij harku kohor, projektet infrastrukturore kanë ecur mirë, por ndërtimi i shkollave, apo realizimi i projekteve në shëndetësi ka pasur probleme. Gjithsesi, nëse fondet nuk do të thithen nga këta sektorë, atëherë mund të përfitojnë projektet infrastrukturore. Po të flasim në gjuhën e shifrave nga rreth 97 miliardë lekë shpenzime të parashikuara për këtë vit, parashikohet që të këtë ulje në vitin e ardhshëm. Në 2009-ën do të ketë rreth 90 miliardë lekë investime, kjo sepse rreth 13 miliardë lekë do të kalojnë për financimin e borxhit, dhe pritet që të ketë një ulje të financimeve në infrastrukturore, me fonde të huaja kryesisht në ndërtimin e rrugëve. Kjo pasi qeveria ka parashikuar që në 2009-ën të mbyllin pjesën më të madhe të projekteve rrugore. Kështu do të jetë rruga Durrës-Kukës, për këtë projekt janë parashikuar që segmentet kryesore të përfundojnë në 2009-ën. Gjithashtu për vitin e ardhshëm mësohet, se qeveria nuk ka ndonjë projekt madhor të ri përveç vazhdimit të ndonjë segmenti, që nuk kanë filluar, siç është ai rrugës së Arbrit e Qafë Plloçë-Qafë Thanë. Pra, për 2009-ën janë parashikuar që të mbyllen 60 për qind e rrugëve të hapura, ndërsa pjesa e mbetur do të përfundojnë në 2010. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në projektbuxhetin e vitit 2009 do të ketë rënie të shpenzimeve kapitale, por gjithnjë për sa i përket pjesës së investimeve me fonde të huaja. Një gjë e tillë ishte e domosdoshme për të ulur deficitin buxhetor. Por nga ana tjetër, qeveria ka planifikuar që të rrisë investimet me fonde të brendshme.