Fratini: Berisha e mbajti premtimin,vizat në qershor 2009
ADI SHKEMBI
Kryeministri Berisha mbajti premtimin dhënë Evropës për luftën ndaj krimit të organizuar dhe pajisjen me pasaportat biometrike. Deklaratën e bëri dje në Tiranë Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, sipas të cilit Shqipëria mund të përfitojë liberalizimin e vizave qershorin e vitit të ardhshëm. "Rruga drejt liberalizimit të vizave duhet të vazhdojë. Unë besoj se pasardhësit e mi në Bruksel në Komisionin Evropian do mund të realizojnë përpara fundit të mandatit të tyre, qershor 2009, këtë rrugëtim", theksoi Fratini. Në vizitën e tij njëditore në vendin tonë, kreu i diplomacisë italiane pati takime me krerët më të lartë të shtetit, si dhe mori pjesë në konferencën vjetore të ambasadorëve që nisi punimet sot. Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë, Fratini tha se "Kryeministri Berisha i mbajti premtimet e dhëna Evropës. Dhe kjo i hap rrugën arritjes së atyre rezultateve që do të jenë të prekshme, të dukshme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Duke filluar me një regjim të liberalizuar të vizave që tani me prodhimin dhe më pas me shpërndarjen e pasaportave biometrike, do të jetë një proces që i afrohet përfundimit dhe plotësimit të tij", theksoi Berisha. Duke përfituar nga ky rast, Kryeministri Berisha i prezantoi para mediave Ministrit të Jashtëm të Italisë modelin e ri të pasaportës dixhitale që do të kenë shqiptarët. Kryeministri Berisha në fjalën e tij para mediave u fokusua në marrëdhëniet shumë të mira, siç i cilësoi ai, mes dy vendeve.
Takimi me Bashën
Në konferencën me homologun shqiptar, Lulzim Basha, Fratini ka qenë më i drejtëpërdrejtë. "Ndër këto parakushte, ishin edhe dy që unë mendoj se Shqipëria i ka plotësuar tashmë. Ishin ndoshta parakushtet më të rëndësishme. Kushti i parë, siguria lidhur me identifikimin e personave. Parakushti i dytë është një luftë, me rezultate, kundër krimit të organizuar transkufitar, atij kriminaliteti që kalon përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbërrin, për fat të keq, në Bashkimin Evropian. Më duhet të them se bashkëpunimi me Italinë është i shkëlqyer", theksoi Fratini. Në të njëjtën kohë ish zv.presidenti i Komisionit Evropian ka lënë edhe porositë për klasën politike shqiptare. "Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë. Gjithashtu duhet të realizohet reforma e sistemit zgjedhor. Unë uroj që kjo të bëhet në marrëveshje me opozitën, pasi kjo reformë zgjedhore duhet të jetë e përbashkët, dhe sigurisht edhe një proces reformash që të prekë magjistraturën", është shprehur Fratini. Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, theksoi se "folëm për bashkëpunimin me Italinë në luftën kundër trafiqeve, drogës dhe kriminalitetit dhe për punën e jashtëzakonshme që agjencitë në të dy anët e Adriatikut kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë, duke e bërë bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e drejtësisë penale, një model për bashkëpunimin midis vendeve të tjera në rajon. Folëm për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Itali".
Berisha: Diplomatët të bëjnë master në ekonomi
Diplomacia shqiptare duhet të ndryshojë nga një diplomaci politike në ekonomike. Ky ka qenë mesazhi i Kryeministrit Berisha në konferencën e përvitshme të ambasadorëve. Madje sipas kreut të qeverisë, të gjithë diplomatët duhet të shohin mundësinë për të kryer studime master për ekonomi. "Diplomatët, të gjithë ata që kanë mundësi, të angazhohen për të kryer studimet Master në fushën e ekonomisë. Në një botë që ndryshon edhe ne do të ndryshojmë", theksoi Berisha. Kreu i ekzekutivit ka dhënë edhe shembullin e tij personal lidhur me marrëdhëniet me biznesin e huaj që shpreh interes për të investuar në Shqipëri. "Kjo kërkon që në axhendën tuaj të përditshme takimet me botën e biznesit të jenë konstante. Unë çdo ditë pres, nga një, deri në pesë kompani, të cilëve u jap siguri dhe u them se do të bëjë çmos për sigurinë tuaj. Unë kam dy-tre ndihmës, i marr të gjitha koordinatat dhe herë pas herë u telefonojmë avokatëve të tyre, u telefonojmë përfaqësueseve të tyre dhe ndonjëherë vetë ata. Këtë mund ta bëni dhe ju, sepse keni përgjegjësi ndaj atij që e prisni dhe që adresoni drejt vendit tuaj". Sipas kreut të qeverisë, 2008-ta ishte vit shumë i madh për Shqipërinë. Në arritjet e vendit Kryeministri renditi ftesën për në NATO, pavarësinë e Kosovës, por edhe kalimin e Shqipërisë, nga një vend me ta ardhura të ulëta, në vend me të ardhura mesatare. "Në rast se kujtojmë, shembja e "murit të Berlinit" në Tiranë e gjeti Shqipërinë njërin nga katër vendet më të varfra të planetit, e gjeti në një mjerim të thellë në shumicën e popullatës, e gjeti Shqipërinë në një lëngatë të pashembullt në historinë e saj të hiperkolektivizmit total dhe sistemi skllavërues totalitar. Sot, Shqipëria nuk i përket më grupit të vendeve me të ardhura të ulëta, por i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme dhe është një Shqipëri krejtësisht tjetër", vijoi më tej Berisha.
Topalli
"Shqipëria ka bërë hapa të mëdha dhe të rëndësishme dhe ju përgëzoj për reformat që parlamenti shqiptar ka realizuar nën drejtimin tuaj si Kryetare e Kuvendit, reforma që ju afrojnë me Bashkimin Evropian", tha Fratini gjatë takimit me Topallin. Kryetarja e Parlamentit tha në takim se "puna e parlamentit shqiptar, është fokusuar tashmë në dy reforma, në atë elektorale dhe atë të drejtësisë".
Topi
Gjatë takimit me Fratinin, Presidenti Topi nënvizoi ecurinë pozitive të reformave të gjithanshme në vend, në kuadër të procesit integrues të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në reformimin e sistemit gjyqësor në vend. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e shtetit italian për vendin tonë në procesin e integrimit në BE dhe për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO.
Marreveshjet
Qeveria shqiptare dhe ajo italiane nënshkruan dje pesë marrëveshje që kanë të bëjnë me njohjen e patentave nga të dyja vendet, rikonstruksionin e nënstacionit elektrik "Tirana 2", Dorëzimi i pjesës së parë prej 5 milionë euro të një financimi të Kooperacionit për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane për programin mbështetës të bizneseve të mesme dhe të vogla shqiptare, kontrata e koncesionit për parkun industrial të Koplikut, Deklarata e shprehjes së interesit për realizimin e nyjes energjetike në Lezhë, të aktiviteteve dhe veprave ndihmëse përkatëse