E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Do japim licencë për shkollën “Nils Bor”

 

Për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nuk përbën asnjë problem,  që një shkollë private të ushtrojë aktivitetin pa licencë.  Mjafton të depozitosh dosjen e aplikimit për këtë leje, pranë këtij dikasteri e t'ia nisësh arsimimit të nxënësve si të të shkrepet. Kjo, ndonëse nuk janë kryer ende kontrollet që ligji përcakton, për stafin e mësimdhënies, ambientet apo kushtet e tjera, që duhet të plotësojë një institucion privat. Nëse përgjigjja nuk do të kishte ardhur zyrtarisht nga MASH, argumente të tillë gjithkush do t'i cilësonte absurde. Por në fakt është pikërisht kështu. "Shkolla "Nils Bor" është në proces licencimi dhe janë të gjitha gjasat që të marrë shumë shpejt licencën", sqaroi dje Ministria e Arsimit, duke shtuar se në këtë fazë ka klauzola që të kryhet mësim. Por pas konsultimeve me ligjin për arsimin parauniversitar, rezulton të jetë e kundërta. Asnjë subjekt privat nuk mund të ushtrojë aktivitetin e tij pa pasur në dorë licencën. Ky qëndrim i MASH, duket se nuk bën asgjë më shumë veçse pohon pretendimet e denoncimit ardhur në gazetë. Ndër të tjera, në të flitet edhe për hije dyshimi mbi afera të mundshme me dhënien e licencave nga Ministria e Arsimit. "Kontrollet për të vërejtur, nëse ka shkelje do të kryen nga drejtoria arsimore", bëri me dije MASH. Janë rreth 12 nxënës që prej më shumë se 3 javësh marrin dije në një shkollë të mesme pa licencë. Bëhet fjalë për subjektin e regjistruar si qendër kursesh me emrin "Nils Bor". Në rrugë postare në ambientet e gazetës ka ardhur një dosje me dokumente, që dëshmon për aktivitetin e paligjshëm të kësaj qendre. Nxënësit  fill pas nisjes së vitit të ri shkollor kanë depozituar pranë gjimnazit ku studionin vërtetimet e shkëputjes për t'u regjistruar në një tjetër shkollë publike. Por pas verifikimit të emrave të tyre në drejtoritë përkatëse të këtyre gjimnazeve të kryeqytetit, asnjëri prej tyre nuk figuron i regjistruar. Këtë e vërtetuan disa prej drejtuesve të këtyre shkollave. Ndërkaq, në ankesën e ardhur me shkrim në redaksi bëhet me dije, se për këtë fenomen është sinjalizuar edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencave. Gazeta disponon edhe emrat e nxënësve që po ndjekin aktualisht shkollën në këtë subjekt, por për arsye etike nuk po i boton ato. Gjithashtu, disponon vërtetimet për secilin prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›