E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, “vidhet” rruga Barrikada

 

zirina llambro

Bashkia e Tiranës ka zvogëluar me rreth 4 metra rrugën më të gjerë të kryeqytetit. Rruga "Barrikada", përballë 9-katësheve, pas përfundimit të rikonstruksionit është rreth 4 metra më e ngushtë. Gazeta ka zbuluar se trotuari i rindërtuar ngjitur me lulishten pas Pallatit të Kulturës, ka hyrë ndjeshëm në rrugë duke zvogëluar këtë të fundit. Një fakt ky që bie ndesh me reklamimin e këtyre viteve të bashkisë për rritjen e sipërfaqeve të rrugëve. Deklaratat e liderëve të saj e kanë përgjigjen në mes të Tiranës, ku në vend që rruga të zgjerohej, nuk është lënë as aq sa ishte, por në të kundërt është zvogëluar.
"Afera e lulishtes"
Sidoqoftë, të gjithë qytetarët e asaj zone, por edhe kalimtarët e tjerë, duke parë zvogëlimin e rrugës kanë vënë re edhe një fakt tjetër. Vërtet rruga është zvogëluar dhe trotuari është mbivendosur mbi të, por të paktën lulishtja në krah të saj është zmadhuar. Dhe deri këtu zvogëlimi i rrugës e ka një alibi, rritjen e gjelbërimit. Gjithçka do të ishte e justifikueshme për qytetarët, të cilët përditë e më shumë shohin si hapësirat e gjelbërta bëhen më të vogla. Por duket se jo gjithçka është kaq naive. Në planin urbanistik të Tiranës, në zonën prapa Pallatit të Kulturës, pikërisht mbi lulishten që u zgjerua, do të ndërtohen disa objekte të larta. Ndër to janë tre gradaçela dhe disa objekte më të ulëta. Të gjitha këto do të ndërtohen mbi lulishte, e cila nga rikonstruksioni i bashkisë është bërë më e gjerë. Dyshimet lindin për këto katër metra rrugë që iu falën lulishtes. Ka shumë mundësi që kjo sipërfaqe toke që është shumë e madhe, po të kihet parasysh që rruga është e gjatë rreth 100 metra, pra rreth 400 metra rrugë, të përdoret nga ndërtuesit e rinj për gradaçelat e tyre. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për katërqind metra, por këto metra shumëfishohen sipas lartësisë së ndërtesave dhe në fund japin një shifër me gjashtë zero dhe të vlerësuar në euro. Kjo hije dyshimi, nga zvogëlimi i rrugës dhe falja e tokës për ndërtuesit, e kalon mizorinë tashmë të planifikuar për prishjen e lulishtes dhe ndërtimin mbi të të pallateve. Në rast se kjo është një strategji e Bashkisë së Tiranës, atëherë afera ia kalon edhe ndërtimeve mbi rrugë, apo lejeve në vende të tjera të çuditshme. Me një llogaritje të thjeshtë, vetëm toka që iu "vodh" rrugës kushton rreth 40 milionë. Në atë zonë të Tiranës, një metër tokë sot kompensohet me rreth 100 mijë lekë. Ndërsa ndërtimi mbi të mund të shumëzohet me 100. Në atë zonë të Tiranës një metër katrorë shtëpi kushton 1300-1500 euro. Çdo kryeqytetas e bën vetë llogarinë.
Trotuaret
Herën e parë trotuari në anën e pallateve nëntëkatëshe u hap disa javë më parë. Kjo pasi e gjithë rruga e barrikadave i është  nënshtruar rikonstruksionit. Shtrimi me pllaka përfundoi përgjatë gjithë shtrirjes së tij. Por, paskësaj punimet befas rinisën nga e para. "Nja dy herë deri tani është shtruar, por më duket se nuk ishin bërë mirë kanalizimet dhe e nisën nga e para", sqarojnë shitësit ambulantë aty pranë. Sipas tyre, me këto ritme që punojnë punëtorët, nuk ka asnjë gjasë të mbarojë deri në fund të vitit. "Këta vënë një pllakë sot e një pllakë mot. Siç duken bathët as për të mbaruar nuk ka", pohojnë edhe qytetarët e zonës. Për këtë Bashkia e Tiranës zyrtarisht theksoi se mbarimi trotuarit në rrugën e barrikadave po zgjat, pasi ndryshe nga sa ishte parashikuar nga projekti doli më i gjerë. Sipas këtij institucioni, në projekt trotuari i Unazës së vogël ishte parashikuar me gjerësi 5m. Ndërsa gjatë zbatimit të punimeve u konstatua se pjesa e trotuarit nga ana e pallateve 9-katëshe ishte më e gjerë se 5m. Kjo do të sillte si rezultat faktin që trotuari të ishte i shtruar me dy lloje pllakash dhe motivesh. Kështu që në përfundim u ra dakord që trotuari të bëhej me të njëjtën pllakë dhe motiv dhe shtrimi të shkonte deri në faqen e objekteve ekzistuese. Kjo zgjidhje shmangu edhe mosakordimin në kuotë midis pjesës që trajtonte projekti dhe asaj që nuk trajtohej. Si rrjedhim, do të dilte një dhëmbëzim në mes të trotuarit. Kështu që në përfundim u ra dakord që trotuari të bëhej me të njëjtën pllakë dhe motiv dhe shtrimi të shkonte deri në faqen e objekteve ekzistuese.

Bashkia: Trotuari vetëm me një lloj pllake

"Në projekt trotuari i Unazës së vogël ishte parashikuar me gjerësi 5m. Gjatë zbatimit të punimeve u konstatua se pjesa e trotuarit nga ana e pallateve 9-katëshe ishte më e gjerë se 5m. Kjo do të sillte si rezultat faktin që trotuari të ishte i shtruar me dy lloje pllakash dhe motivesh", kjo është përgjigjja zyrtare e Bashkisë së Tiranës, për punimet e mbetura pezull në trotuaret tek 9-katëshet. Sipas këtij institucioni gjithashtu kishte një mosrakordim në kuotë midis pjesës që trajtonte projekti dhe asaj që nuk trajtohej. Si rrjedhim, do të dilte një dhembëzim në mes të trotuarit. "Kështu që në përfundim u ra dakord që trotuari të bëhej me të njëjtën pllakë dhe motiv dhe shtrimi të shkonte deri në faqen e objekteve ekzistuese", bën me dija Bashkia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›