E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sagë për Prishtinën

Qytetet si vatra të fuqive më kreative njerëzore në Ballkan janë mbytur. Gjatë bombardimeve të pareshtura të Vukovarit (qytet kroat) nga ushtria serbe gjatë luftës së viteve ’90 në muret-gërmadha të tij ishte hasur një grafit që thoshte: “Shkoi VukoWari në rrotë t’samës”, që ishte një zë që prezantonte indiferencën e qytetërimit ndaj mbytjes së një qyteti. Prishtina ka pësuar një “mbytje”, një urbicid jo nga bombardimet serbe, por nga injoranca dhe mungesa totale e dashurisë dhe shijes estetike të administratorëve të saj, duke ia vjedhur identitetin përditë.
Mirëpo edhe ajo çka i shpëtoi komunizmit dhe fashizmit të ri serb, ra pre e qeverisjes së keqe të pasluftës. Kaosi urbanistik i fshiu për pak vjet të gjitha referencat, adresat...
Qytetarët nuk marrin më letra.
Megjithatë mbetet qytet-kujtesë.
Pas kalljes së “Unionit”, që përfaqësonte frymën perëndimore në arkitekturë (arkitekturë e dabëlmonarkisë austro-hungareze), pas ndryshimit të fasadës së Pallatit të Shtypit (më pëlqeu ajo që e tha një arkitekt prishtinas, se tashti Pallati i Shtypit duket si një burrë me fustan!!!) dhe hotelit “Grand”, që padyshim ishin fytyra të Prishtinës, identiteti i saj, aktualisht rrëmeti i radhës i parisë së qytetit po përgatitet të bjerë mbi përmendoren moderniste që njihet si “Trekëndëshi”.
Ndërsa nuk është larg mendsh që të rrënohet edhe Pallati i Rinisë (Boro e Ramizi i dikurshëm) që mafia ndërtimore të ngrejë në truallin e tij ndonjë megapallat, paçka se çështja mund të shkojë në gjyqin evropian të të drejtave të njeriut, pasi që kjo qendër është ndërtuar në fund të viteve ’70 me vetëkontributin e qytetarëve të Komunës së Prishtinës.
Prishtina është i vetmi vend urban në Kosovë (ku shtypen gazeta e libra), ku vijnë lajme, ku ndodh diçka…ku ndien se je në urbis.
Qyteti i Prishtinës është letërnjoftimi.
Shihni terrin që mjerojnë xhamitë otomane, sidomos perlat e kësaj epoke, atë të çarshisë afër Muzeut Kombëtar dhe Xhaminë e Madhe në Prishtinë, sepse as Bashkësia Islame e Kosovës dhe as Ministria e Kulturës, apo ajo e ambientit, dhe as komunarët nuk vënë së paku drita rreth tyre, që reflektojnë qytetërim; shihni se si dergjet në shi e lloç Monumenti i Pavarësisë para Pallatit të Rinisë “New Born.”
Dhe askush as që është përpjekur të nisë debatin se si po (keq)qeveriset dhe shëmtohet kryeqyteti nga shija e ulët e qeveritarëve dhe e vetë qytetarëve, duke ia rrënuar secilën shenjë identiteti.
Politikanë komunistë të konvertuar në etnonacionalistë me fjalë-ikonike duan të krijojnë opinion dhe masë kritike për veprim urbicidal, duke i cilësuar ato pak ndërtime e përmendore si “komuniste”, “jugosllave” e “serbe”, gjë që nuk janë, për të shkatërruar pastaj jo vetëm secilin artefakt (kulturë materiale), por edhe shpirtin e një populli dhe secilin “plebej” që nuk pajtohet, pra duan ta thyejnë përfundimisht “zeitgeistin” e Prishtinës, sepse pretendojnë se e kanë të drejtën revolucionare të posedojnë me çdo gjë materiale dhe shpirtërore dhe të bëjnë çka t’u vjen ndoresh, pse jo edhe ta kallin dhe ta ringrenë sipas shijes së tyre fshatareske, provinciale, populiste.
Ata duan t’i thyejnë monumentet, sepse duan t’i lënë gjurmët e tyre përmes urbicidit.
S’ka se si të mos duken si kushërinj të afërt “talebanët” që shkatërruan Kabulin e vjetër me këta injorantët e fuqishëm, që e kallën UNION-in dhe duan ta rrënojnë edhe gjurmën e fundit të një epoke…
Nëse kurrë nuk do të dihet banori i parë i saj, do të identifikohen lehtë rrënuesit e saj.
Njerëz të gjoleve.
Sikur në vitet ’90, kur fashizmi serb rrënoi përmendoren shumë të realizuar të viktimave të kampit fashist të Prishtinës, (para Fakultetit Filologjik), për ta vendosur aty një patriot të tyre, tash në emër të luftës antikomuniste nomenklatura e re do ta godasë përmendoren që njihej si “Trekëndëshi” dhe është pjesë e identitetit të Prishtinës.
Kjo përmendore është moderne (artistikisht ndër monumentet më të realizuara) paçka se është ngritur gjatë komunizmit; ajo nuk ka emër, as nuk madhëron regjime ose shtete, ajo është formë e pastër artistike. Mund të ketë shumësi interpretimesh për tre rremat, por e para që të bie ndërmend është triniteti biblik: Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë, që korrespondon me trinitetin filozofik: Themelim-Ndërtim-Banim.
Përmendoret trerrembëshe gjithkund në Evropë (dhe ish-Jugosllavi) janë të motivuara nga miti i revolucionit, pra nga tri parimet dhe trekolorëshi i Revolucionit Francez: Egalite, fraternité, liberte...Vëllazëri, barazi, liri.
Ndërsa mund t’i jepen edhe interpretime të tjera konceptuale si variant, variabël dhe variete, si tri momentet rreth të cilave qarkullojnë tri aktivitetet respektive: filozofia, shkenca dhe arti. Megjithëse kjo formë skulpturore pra mund të ketë interpretime pafundësisht të ndryshme, gjë që flet për qëndrueshmërinë e saj përballë kohës.
A ka shpresë për Prishtinën?
Sheshi ku qëndron ajo përmendore duhet rinovuar me kreativitet, kështu që vetë ideja e asaj forme të pastër skulpturore mund të marrë konotacion tjetër, nëse përdoren reflektorë trengjyrësh, p.sh. për secilin krah të saj nga një ngjyrë e trekolorëshit kosovar: bluja, e bardha dhe e verdha, kështu që përmendorja do ta përjetësonte idenë e flamurit të shtetit të ri.
Shtatorja e Pjetër Bogdanit do të duhej të ngrehej në oborrin e Katedrales së re; përmendorja për viktimat në kampin e Prishtinës duhet rikthyer para Fakultetit Filologjik; ndërsa “Unioni” duhet të rindërtohet, siç do të duhej ribërë çarshia (rikrijimi në bazë të mbamendjes dhe fotografive), sepse ata që e mbajnë mend qytetin e vjetër thonë se kishte çarshinë më të bukur se Shkupi e Sarajeva.
A mund të bëhet rikonstruktimi i kafenesë “Skënderbeg” në “Union” dhe restaurimi i shtëpive të vjetra qytetare, (aty ku rrinë ende në këmbë!) A mund të riterritorializohet Prishtina estetike? Mundet, por duhet vullnet politik, dashuri dhe shije estetike.
Prishtina e ka një pamje ëndrre nga hyrja në juglindje, nga Veterniku, ku do të duhej të ngrihej një hark (portë triumfale) mbi të cilën do të nderonin qytetin e rezistencës kalorës të Gardës Nacionale 24 orë në ditë…
Sepse Prishtina është qytet i triumfit. Ai hark triumfi do të shërbente për ta shënjuar një ditë kujtimi (Si “Shoah” te muri i lotëve në Jerusalem), ku do të nderoheshin luftëtarët e lirisë përgjatë lëvizjes njëqindvjeçare për pavarësi.
Dhe i thonë qytet pa lumë, ndonëse kishte dy lumëtha, madje prishtinalitë thonë se ka pasur edhe peshq!?. U mbuluan me beton.
Në qytetin ku betoni është bërë ligj, nuk ka gjasë që lumi Prishtina të rigjallërohet, që të mos mbesë vetëm legjendë dhe utopi?
Prishtina është identitet dhe kujtesë…
Qytet-ikonë e pafajësisë dhe rezistencës kundër zhbërjes.

halil.matoshi@kohaditore.com

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›