E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sahatët e energjisë në dorë të OSSH, Metrologjia e pafuqishme ti kontrollojë

Drejtoria e Metrologjisë: OSSH sjell vetëm disa matës kampionë që i përzgjedh vetë


Zanafilla e grabitjes së qytetarëve nga OSSH me anë të matësve dhe faturave arbitrare të energjisë elektrike gjendet qysh tek kolaudimi i sahateve. Matësit e energjisë dhe verifikimi i tyre është një monopol që i përket vetëm Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kurse qytetarët kanë të drejtë vetëm të paguajnë faturat marramendëse, shuma e të cilëve varet nga oreksi i faturuesit. Ndërsa vetë OSSH është një institucion në varësi të ministrit të Energjetikës,

Dritan Prifti, mbi të cilin janë adresuar një pafundësi akuzash për grabitjen me anë të faturave të energjisë. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë sqaron të gjithë veprimtarinë korruptive të OSSH në lidhje me kolaudimin e matësve dhe rolit të konsumatorit. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë bën me dije se procesi i kolaudimit të matësve nga OSSH është vetëm formale, pasi matësit i zgjedh vetë OSSH, mbi rezultati i të cilëve përcakton e gjendjen teknike të të gjithë matësve të qytetarëve. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është një institucion shtetëror, që merret me ruajtjen ruajtja e etaloneve kombëtare të njësive të matjes, kalibrime dhe verifikime të instrumenteve matës, si dhe inspektim të zbatimit të ligjshmërisë ndaj shkeljeve në fushën e matjeve. Në rastin e OSSH, e cila më shumë se 75 % është një kompani me karakter privat, DMP ndjek një procedurë tillë: OSSH ka për detyrë të sjellë në laboratorin tonë disa kampionë matësish elektrik, të cilët ne i verifikojmë. Vlen të saktësojmë se matësit e energjisë elektrike i përzgjedh vetë OSSH, ndërsa ne vetëm japim përgjigjen e sigurisë teknike, thekson Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. DPM gjithashtu deklaron se është në dijeni të faktit që OSSH po grabit në mënyrë sistematike qytetarët, por inspektimi i DPM për të kontrolluar saktësinë e matjeve të matësve elektrike është i kufizuar. Megjithatë, DMD shpreh se çdo qytetar ka të drejtë dhe i ofrohen të gjitha mundësi për të kontrolluar teknikisht matësin e tij, por deri më tani sipas DMD nuk ka pasur asnjë rast të tillë. Institucioni ynë nuk ka akses të mjaftueshëm për të ushtruar kontrolle mbi matësit e energjisë elektrike. Në kontrollojmë vetëm ato matës që na servir vetë OSSH. Nëse konstatohen probleme dhe kjo i ka sjellë një dëm konsumatorit, atëherë strukturat tona kanë të drejtën e masave ligjore administrative ndaj subjekteve kundravajtës të Ligjit për Metrologjinë si dhe të ligjeve të tjera që ngarkojnë DPM me këto detyra. Megjithatë ne besojmë se ankesat e qytetarëve në lidhje me faturat e fryra të energjisë elektrike, nuk janë për shkak të abuzimeve me matësit elektrike, por çështja është më e thellë. Problemi më i madh është rritje e çmimit të energjisë, pohoi ndër të tjera DMD.

Subjektet private
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë sqaron subjektet e ndryshme private, verifikohen nga vetë kompanitë me instrumentet matëse që verifikohen nga DPM. Sipas ligjeve në fuqi është detyrim ligjor për prodhuesin, që përpara hedhjes në treg të këtij instrumenti të kryejë miratimin e tipit të instrumentit matës pranë strukturave të DPM. Njohje e miratimit të tipit për instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara që importohen, është procedura për të vërtetuar që tipi i importuar është në përputhje me kërkesat teknike-metrologjike ligjore. Verifikim periodik i një instrumenti matës ligjërisht të kontrolluar nënkupton konfirmimin që nëpërmjet ekzaminimit dhe evidentimit kërkesat teknike metrologjike ligjore janë plotësuar, thekson DPM. Megjithatë, gjithmonë ka hapësira për abuzime, pasi shpesh herë qytetarët ankohen se subjektet private përfitojnë nga ato dhe kjo mund të ndalohet vetëm nëse DPM do të ushtrojë kontrolle rregullisht jo ndaj mjeteve matëse që disponojnë kompanitë, por edha ndaj produktit që konsumohet.


Inspektimi metrologjik
Inspektimi metrologjik është një nga detyrat më themelore të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Inspektimi metrologjik organizohet dhe kryhet nga punonjësit e Drejtorisë së Inspektimit Metrologjik, Në rast shkeljesh DIM merr masat shtrënguese që merr shteti në fushën e metrologjisë me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe përfshin kontrollin për zbatimin e ligjshmërisë për përdorimin dhe saktësinë e instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara në përdorim dhe kontrollin për saktësi të matjeve të produkteve të paketuara në prodhim, shpërndarje dhe tregtim. Subjekt kryesor i inspektimit janë: produktet e parapaketuara kudo që ndodhen, pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, prodhimi dhe tregtimi i bukës, kontrolli i pikave të mbushjes dhe të tregtimit të gazit të lëngët, instrumentet matës ligjërisht të kontrolluar që përdoren, etj. Inspektimi metrologjik ushtrohet në çdo kohë, pa asnjë paralajmërim ndaj subjektit që inspektohet dhe iniciohet përveç planifikimit dhe nga informacione dhe ankesa të qytetareve, të firmave konkurrente, nga njoftimet e mediave vizive dhe të shkruara dhe nga çdo burimi tjetër. Strukturat e DIM në rrethe kanë të drejtën e masave ligjore administrative ndaj subjekteve kundravajtës të Ligjit për Metrologjinë si dhe të ligjeve të tjera që
ngarkojnë DPM me këto detyra.

Rama: Pushteti fajtor për faturat e energjisë
Kryesocialisti Rama u shpreh se ishte e papranueshme, që pas denoncimit të bërë nga media, pas alarmit të dhënë nga opozita për faturën e re të energjisë që përbën një shkelje flagrante të ligjit, qeveria nuk ka reaguar. Rama akuzoi qeverinë se përmes altoparlantëve të vet, është munduar ta trajtoj si çështje me karakter teknik. Por, nuk është kështu, ajo është çështje që lidhet sa me pafuqinë e një qeverie të zhytur në krizën e keqmenaxhimit të financave për të përballuar detyrimet e veta kontraktuale, aq edhe me shpërfilljen e plotë që e karakterizon qeverinë në raport me qytetarin. Fatura e re energjisë është një shembull i këtij deformimi të madh, që e ka zanafillën e vet tek kontrata e shkelur me këmbë në 28 qershor, kur duhet të vendoste qytetari shqiptar, por në fakt vendosi pushteti, në shkelje të plotë të kushtetutës, në shkelje të normave të bashkëjetesës demokratike, theksoi Rama.


Abuzimi me matës
Matësi i energjisë elektrike është mundësia dhe hapësira kryesore, në përmjet të cilit OSSH grabit qytetarët. Matësi ruhen me rreptësi dhe edhe nëse ndonjë qytetarë dëshiron ta shikojë atë, kjo është e ndaluar. Matësi i energjisë shihet vetëm nga faturuesi, i cili sipas qytetarëve ai është i pari që është përfshirë në këtë aferë. Pra, qytetarët nuk kanë të drejtë të shikojnë sahatin e tyre dhe kur faturisti është prezent. Por kjo ndodh në rrallë raste, pasi faturistët shikojnë sahatet në kohën kur asnjë nga abonentët nuk është i pranishëm dhe në këtë formë ata mund të kryejnë abuzimet e tyre duke shtuar kilovatiorë, apo edhe mund të çmontojnë sahatin për ta rregulluar në laborator kur abuzimi ka kaluar limitet. Sipas faturistëve, të gjitha pasqyrave mujore u është hequr vizë dhe në vend të tyre janë shtuar sasitë e kërkuara nga OSSH, për të plotësuar shumën e kërkuar të parave që duhet të paguajnë familjet shqiptare.

Last Updated on E Premte, 05 Mars 2010 23:04

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›