E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, në shënjestër ulja e borxhit publik

05/03/2010 Guvernatori Fullani dhe ministri Bode: Pakësimi, sfida e ekonomisë shqiptare

Borxhi publik do të jetë një ndër sfidat kryesore të ekonomisë në muajt e ardhshëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar organizoi dje seminarin me temë “Shqipëria, mbajtja e stabilitetit makroekonomik në një ambient të jashtëm sfidues”, ku Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe ministri i Financave Bode kanë trajtuar sfidat për të ardhmen. Shefi i Misionit të FMN-së në Shqipëri, Gerwin Bell, tha se Shqipëria ka qenë një ndër të paktat vende që i ka rezistuar krizës ekonomike ndërkombëtare dhe sugjeroi ndërmarrjen e politikave eficente në përmirësimin e deficitit publik. Ndërkohë edhe guvernatori Ardian Fullani bëri apel qeverisë se borxhi publik nuk duhet rritur. Sipas Fullanit, duhet strategji për uljen e tij, pasi ulja do ndikonte në ekonominë vendase dhe i bën thirrje qeverisë për kufizim të shpenzimeve sipas të ardhurave. “Natyra e politikave stimuluese sot dhe në të ardhmen duhet të synojë minimizimin e kostove efektive, anësore që kanë shkaktuar politikat ekspansioniste të viteve të fundit. Një vend shumë të rëndësishëm në këtë drejtim zë dhe ulja e borxhit, e cila u krijua gjatë ekspansionit fiskal dhe njëkohësisht e kostos së tij”, tha Fullani. Shqetësimin e ka vlerësuar dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili megjithatë u paraqit më optimist se guvernatori i Bankës Qendrore. Sipas tij, rritja e borxhit publik ka qenë e ulët në krahasim me vendet e eurozonës, dhe kjo dëshmon stabilitet e qëndrueshmëri makroekonomike afatgjatë që ka pasur Shqipëria “Ekonomia i rezistoi goditjeve të krizës. Në vend ka stabilitet makroekonomik. Viti që lamë pas ishte ndër vitet më të vështira, por politikat ekonomike kanë qenë të suksesshme. Ndërkohë, ulja e borxhit publik mbetet prioritet”, deklaroi ai. Sipas ministrit të Financave nuk është koha për të bërë krahasime me ekonomitë e vendeve në rajon. “Nuk është koha për të thënë se efektet e krizës në ekonominë shqiptare ishin minimale. Nuk është koha për të krahasuar se ne në 3 vite kemi rritur borxhin publik veç 5 për qind, kur eurozona e ka rritur 22 për qind. Është koha mbi këtë bazë që ne të marrim të gjitha masat e nevojshme për të tentuar, për të synuar një ekuilibër të ri makroekonomik, me parametra më të përshtatshëm”, theksoi Bode. Muajt e fundit ekonomia shqiptare ka vuajtur dhe nga luhatjet e kursit të këmbimit. Guvernatori tha se këto ndryshime kanë sjellë nevojën e rivlerësimeve të disa parametrave. “Aktualisht jemi përballur me korrektimin e kursit të këmbimit. Ky rregullim automatik i sjelljes prodhuese dhe konsumatore ndaj konsumit, kursimeve dhe investimeve ka qenë një proces i domosdoshëm në përputhje me ekuilibrat e rinj. Megjithatë, është i pamjaftueshëm. Ai duhet të shoqërohet me korrektime në çmimet e aseteve fikse në përputhje me ekuilibrat e rinj pasurorë”, tha Fullani. Euro dhe dollari e kanë dobësuar ndjeshëm monedhën shqiptare gjatë muajve të fundit dhe luhatjet në kursin e këmbimit kanë shkaktuar kosto shtesë për ekonominë.

Masat

Në kuadër të uljes së borxhit publik qeveria shqiptare ka planifikuar të ndërmarrë një sërë masash agresive. Për realizimin e këtij synimi qeveria do të shkurtojë në mënyrë drastike shpenzimet, por nuk do të prekë asnjëherë rritjen e pagave dhe të pensioneve, si dhe investimet për ndërtimin e akseve kryesorë rrugorë.

Borxhi

Për 2009-ën kostoja e buxhetit për interesat e borxhit është 3.2 për qind. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reflekton dy fenomene, atë të rritjes së interesave në tregun rajonal dhe evropian nga shërbehemi, por njëkohësisht dhe rritjen në një farë mase të nivelit të borxhit total publik në vlerë simbolike.

Gjendja

Ndërkohë që duke u kthyer te buxheti i 2009-ës nga 32% e PBB-së që përbën ky i fundit vetëm 4.4% është huamarrja e re. Sipas Bodes, huamarrja prej 4.4% është në nivelet më të ulëta që ka pasur ekonomia shqiptare në vite. Lidhur me borxhin në total dhe mënyrën si ka evoluar ai në vite vihet re një rritje e moderuar gjatë vitit 2008-2009.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›