E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarja në mesin e yjeve

Figura të njohura botërore të filmit, muzikës dhe politikës, si Kathleen Turner, Oliver Martinez, Naomi Cambell, Chris de Burgh, Michail Gorbatschow, Gianna Nannini, etj. u mblodhën në Mbrëmjen e 20’të të Bamirësisë të UNESCO’s, në Düsseldorf të Gjermanisë.

Mbrëmja e bamirësisë u ofroi të pranishmëve mundësinë për të mbështetur me donacione bujare fëmijë në nevojë në të gjithë botën.

Fondet e mbledhura kësaj here do të mbështesin 400 projekte në 97 shtete të botës. Pikësynimi i projekteve është shkollimi i fëmijëve, ndërtimi i shkollave dhe krijimi i kushteve normale për mësim.

E pranishme në këtë mbrëmje madhështore ishte dhe violinistja e famshme shqiptare, Ervis Gega-Dodi. Violinistja, bashkë me bashkëshortin e saj, Auron Dodi, ka vite që përmes donacioneve të ndryshme i mbështet fëmijët e pastrehë nëpër botë.

Gega-Dodi ka qenë gjithmonë shumë e interesuar dhe e preokupuar për të përmirësuar gjendjen e fëmijëve në vështirësi dhe me probleme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›