E Diel, 1 Nëntor 2026

Said Prizreni, zhgënjen në evropianin e Tamperes

Said Prizreni zhgënjen në kampionatin evropian për të rritur, që po zhvillohet në Tampere. Mundësi shqiptar, i cili ka fituar medaljen e bronzit në Botërorin e zhvilluar pak muaj më parë, ka udhëtuar drejt Finlandës për të parë gjendjen ku ndodhet me përgatitjet përpara olimpiadës "Pekin 2008". Edhe pse fillimisht u mendua se Prizreni do të ishte një nga pretendentët kryesorë për medalje në peshën 60 kg. stil i lirë, duke përsëritur paraqitjen e shtatorit të vitit të kaluar në Baku, asgjë nuk ka ecur sipas parashikimeve. Kampioni i stërvitur nga trajneri kosovar, Sulejman Shala, është ndeshur në sfidën e parë kualifikuese përballë mundësit letonez, Aleksandër Truskins. Në tapet Prizreni ka treguar kualitetin e tij, duke fituar 3-0 me pikë dhe kualifikuar për në raundin e 1/8. Skema e përcaktuar më parë e ka vendosur sportistin kuksian përballë bullgarit Anatolie Guidea, sfidë të cilën e ka humbur 3-1 me pikë. Tashmë, sytë e mundjes shqiptare në Finlandë janë kthyer nga Elis Guri, që do garojë në stilin klasik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›