E Diel, 1 Nëntor 2026

Saimir Kumbaro, një dokumentar për gjyqet e diktaturës

TIRANË- Ky vit jubile për shtetin shqiptar ka frymëzuar artistë nga të gjitha fushat për të realizuar krijime artistike me në qëndër historinë 100-vjeçare të Shqipërisë apo figurave më të rëndësishme të kombit.

Pjesë e këtyre krijimeve do të jetë edhe dokumentari i regjisorit Saimir Kumbaro "Martirët", një prodhim kinematografik për gjyqet e diktaturës, 1945-1947. Për dokumentarin me skenar të Uran Butkës, janë përdorur materiale nga arkiva e Ministrisë së Brendshme, kryesisht fotografi.

Sipas regjisorit Kumbaro, kjo pjesë e historisë dhe filmat në lidhje me të kanë qënë tabu, ndaj është një pjesë që tashmë duhet thënë. “E kam parë në një këndvështrim tjetër dhe mendoj se njerëzit nuk do të mërziten. Kam dashur të bëj një film që të mbetet tek publiku dhe mesazhi filozofik i filmit është denoncimi i dhunës, pavarësisht se kush e përdor atë", është shprehur Kumbaro për mediat.

Dokumentet e përdorur për filmin tregojnë janë përdorur rreth 18 lloje torturash, fizike dhe psikofizike, si futja e hekurit të skuqur në kockë, mbajtja varur, lënie me ditë pa bukë, mbajtja në qeli me ujë në mes të acarit. Gjyqet në atë kohë bëheshin në ish- kinemanë "17 Nëntori", që atëherë quhej “Nacional" dhe qëllimisht ktheheshin në spektakle ku spektatorët me porosi duartrokisnin, turma jashtë emocionohej dhe binte viktimë e histerisë kolektive, duke kërkuar varje për personat që gjykoheshin.

"Martirët" është prodhim i "Sk Film", me financim nga QKK, dhe është pjesë e prodhimeve të saj në kolanën e 100-vjetorit të Pavarësisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›