Sako: 13 grupe pune në terren, po verifikohen dëmet e shkaktuara nga reshjet

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako informoi sot se 13 grupe specialistësh janë ngritur nga bashkia e Durrësit për të verifikuar në terren dëmet e shkaktuara nëpër banesa, nga situata e krijuar nga reshjet e denduara.
Në një postim në rrjetet sociale, Sako tha se “këto grupe shkojnë në çdo shtëpi ku ka depërtuar uji, për të bërë sa më shpejt vlerësimin e dëmeve dhe më pas të gjithë qytetarët e dëmtuar do të dëmshpërblehen. Jemi pranë qytetarëve dhe në ndihmë të tyre në çdo moment”.
Në një reagim më herët gjatë ditës së sotme, Sako është shprehur se “prania e ujit është në shumë banesa në zonën e Durrësit të Ri, Shkozet, Nishtulla, kryqëzimi pranë Institutit të Edukimit të Veprave Penale”.
“Uji ka hyrë në rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë në zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtëpi në Rrashbull”, tha Sako.
Reshjet e shiut përfshinë dje qytetin bregdetar të Durrësit duke sjellë probleme në disa zona.
Nga puna në terren e grupeve të bashkisë Durrës për të verifikuar dëmet nga reshjet e shiut 1 nga 18/r.e/a.f/