Sali Berisha - Hido Bishcevic: “Bashkëpunimi forcon aspiratat për integrim”

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Hido Bishcevic, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri u shpreh se është e rëndësishme që vendet e Evropës Juglindore të vijojnë thellimin e bashkëpunimit, në veçanti me projekte konkrete në fusha të rëndësishme si ajo e energjisë, infrastrukturave të mëdha rajonale dhe evropiane, të cilat do të konsolidojnë funksionimin e tregut të lirë të këtyre vendeve, si dhe do të forcojnë integrimin e tyre, duke i sjelle ato më pranë aspiratave për integrim euroatlantik. Në këtë kontekst, theksoi Berisha, është e rëndësishme të bëjmë çdo përpjekje për liberalizimin e plotë të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave e shërbimeve në rajonin tonë.
Ndërsa nga ana e tij, Bishceviç, pasi e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen, theksoi se Shqipëria është një ndër faktorët më të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, në kuadër të Këshillit për Bashkëpunimit Rajonal. Bishceviç vlerësoi lart përkrahjen që qeveria shqiptare dhe personalisht kryeministri Berisha i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe projekteve të rëndësishme të tij për konsolidimin e bashkëpunimit rajonal.
Më tej, Bishceviç i paraqiti kryeministrit projekt- programet e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për periudhën në vijim, në fusha si energjia dhe infrastruktura, të cilat mbështeten nga Komisioni Evropian dhe donatorë të rëndësishëm si, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Basha-Bishceviç: “Projektet rajonale janë të rëndësishme për lëvizjen e lirë”/Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, priti dje në një takim Hido Bishcevic, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RÇ), me qendër në Sarajevë. Gjatë takimit, u diskutua lidhur me aktivitetet e RÇ-së gjatë vitit 2008, duke u fokusuar te fushat prioritare të bashkëpunimit rajonal, ku një rëndësi e veçantë iu kushtua objektivave të vitit 2009, si një vit shumë i rëndësishëm për mbarë rajonin e Evropës Juglindor. Basha e informoi bashkëbiseduesin mbi vullnetin e qartë të palës sonë për të qenë pjesëmarrëse aktive në proceset bashkëpunuese rajonale. Po ashtu, u diskutua dhe u ra dakord për një koordinim më të frytshëm të punës, me synim rritjen e rolit të vendit tonë në këtë strukturë të rëndësishme rajonale.
Kreu i Diplomacisë shqiptare kërkoi që Kosova të jetë pjesë e tryezave rajonale, ku diskutohen projekte konkrete për zhvillimin e rajonit. Ministri Basha vlerësoi se Kosova duhet të përfshihet më aktivisht në proceset integruese rajonale, sidomos në forume si RÇ që ofrojnë një përqasje pragmatike dhe të orientuar drejt rezultateve në fusha prioritare të bashkëpunimit.
Ministri Basha theksoi rëndësinë që kanë për Shqipërinë projektet rajonale sidomos ato për lëvizjen e lirë, energjinë, infrastrukturën e të gjitha llojeve, etj. Lidhur me këto projekte, ministri Basha paraqiti interesin e palës shqiptare për ngritjen në Shqipëri të një qendre rajonale për trajtimin e ujit me teknologji me kosto të ulët, ku integrohen edhe energjia, mbetjet, etj.