E Diel, 1 Nëntor 2026

“Riparimi i defekteve të Kodit do të garantonte standarde për zgjedhje të lira e të ndershme”

Letra e Ilir Metës për Edi Ramën

Zyra e Shtypit e LSI-së ka bërë dje publike letrën që kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i ka dërguar në datën 6 dhjetor kryesocialistit Edi Rama,  ku i krahas ftesës publike edhe përmes asaj institucionale e fton këtë të fundit  për të negociuar mbi mundësinë e ndryshimit të disa neneve të Kodit të ri Zgjedhor. Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, shkruan Ilir Meta, janë me një rëndësi vendimtare për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, për progresin e saj të mëtejshëm zhvillimor, por edhe për të plotësuar detyrimet institucionale të vendit në procesin e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe se për këtë “realizimi me sukses i zgjedhjeve të ardhshme është një detyrim themelor i politikës dhe çdo partie politike, është përgjegjësi e çdo politikani a drejtuesi politik”.
Për Metën kthimi i Kodit Zgjedhor nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Parlament, ka krijuar një mundësi për reflektim dhe një hapësirë për të riparuar disa defekte të këtij Kodi të ri Elektoral duke theksuar se riparimi i këtyre defekteve do të vendose standarde më të larta ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, sidomos në drejtim të garantimit të një procesi zgjedhor të pakontestueshëm dhe ndërtimit të besimit të munguar midis palëve konkurruese.
“Zoti Kryetar i Partisë Socialiste, do ju kërkoj që të reflektoni mbi këtë mundësi, për t’i dhënë vendit një Kod Zgjedhor që prodhon zgjedhje të lira, të ndershme e të pakontestueshme. Unë jam i gatshëm të takohem me ju për të shqyrtuar konkretisht mundësitë që krijon një rast i tillë”, përfundon letra e Ilir Metës për Edi Ramën

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›