Sali Berisha me kërkesa të çuditshme
.jpg)
Në mbledhjen e Komitetit të 100-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka kërkuar nga Ministria e Kulturës që të punojë për kthimin në atdhe të eshtrave të Sami Frashërit dhe të kokës së Ali Pashë Tepelenës.
“Sami Frashëri është një gjeni i doktrinës së shqiptarësisë - si doktrinë perëndimore. Libri i tij është dokumenti themelor i së sotmes dhe i së ardhmes shqiptare. Dhe së dyti, është personalitet shumë i rëndësishëm për vendin mik, Turqinë, meqë ka dy vepra themelore të një rëndësie të veçantë për gjuhën e tyre. Sidoqoftë, do të bëjmë përpjekje serioze për rikthimin e tij në Shqipëri. Duhet të bëjmë gjithçka që t’i bindim familjarët, se ai vërtet është krenari më e madhe për ata si familjarë, por edhe për një komb”, tha Berisha.
Edhe pse e pranoi edhe vetë se kjo kërkesë është e çuditshme, kryeministri tha se në atdhe duhet të kthehet edhe koka e Ali Pashë Tepelenës.
“Është një nga figurat dhe personalitetet me peshën më të veçantë, nuk mund të them në historinë tonë kombëtare, sepse ai ishte një histori tjetër, por nëse e marrim historinë pas vdekjes së Skënderbeut, kur historia jonë u transferua në tërësinë e saj në Stamboll, ne po shkonim drejt harresës historike. Ali Pasha, me të gjithë veprimtarinë e tij, i dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur. Se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe, Napoleoni,tregoi një interesim shumë të madh për pashain e Janinës, të cilin filluan ta quanin si Bonaparta e Ballkanit”, u shpreh Berisha.
“Sulltani kërkoi që kokën e tij t’ia çonin në tepsi në Stamboll, dhe kjo ndodhi nuk është legjendë. E bëri që të sigurohej se ishte vrarë, por kjo pak rëndësi. Rëndësi ka që ne duam ta kthejmë kokën e tij. Se a do ta varrosim në Tepelenë, apo në Muzeun Kombëtar, kjo duhet të vendoset”, shtoi tutje ai.
Gjithashtu, Berisha kërkoi që të punohet edhe në kthimin e eshtrave të Mit’hat Frashërit, të cilin e cilësoi si “një nga njerëzit më mendjendritur të historisë sonë”, si dhe të eshtrave të bashkëshortes së Ismail Qemalit.
Për realizimin e këtyre angazhimeve nuk ka ndonjë siguri të madh. E sigurt është se fjalët e Berishës do të hapin debate, njësoj siç hapën deklaratat tij të vitit 2009, kur ai u angazhua për rikthimin në atdhe të eshtrave të Nënës Terezë, gjë që u kundërshtua vendosmërisht nga India. Edhe kërkesa për kthimin e eshtrave të Sami Frashërit mund të nxis reagime nga Turqia./Indeksonline/