E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sali Shehu për kryetar KLSH, PD e kundërshton

TIRANË Dekreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për kryetarin e KLSH-së pritet që të futet kësaj jave në procedurë parlamentare. Sali Shehu, emri që Presidenti i Republikës propozoi për KLSH-në, pritet që të rrëzohet nga mazhoranca, me arsyen kryesore se ky emër nuk është fryt i konsultimeve paraprake. Edhe dje, deputeti demokrat Enkeled Alibeaj deklaroi se kandidatura e Sali Shehut nuk është e përshtatshme për drejtimin e KLSH-së dhe se presidenti Topi po shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese me veprimet e tij të fundit. “Presidenti Topi është në ikje e sipër, ndaj po e përdor Presidencën për post-presidencën. Topi të veprojë në shërbim të Kushtetutës”, - tha Alibeaj. Legjislaturën e kaluar Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike, i zonës Bulqizë, qarku Dibër. Ai ka mbaruar Akademinë e Lartë të Oficerëve të Policisë në Tiranë dhe Fakultetin Juridik. Edhe pse me një karrierë të gjatë në polici si përfaqësues i PD-së, dhe më pas deputet me 51% të votave legjislaturën e kaluar, Sali Shehu ishte ndër ata emra që nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputet të miratuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, në zgjedhjet e 2009-ës, për shkak të mbështetjes jo të vogël që ai kishte dhënë për Bamir Topin si President. Që prej vitit 2009, Shehu është parë disa herë në krah të Presidentit të Republikës dhe ka ndjekur një aktivitet apartiak. Megjithatë, futja e tij në garë dhe rrëzimi i paralajmëruar nga ana e grupit parlamentar të PD-së, pritet të ketë impaktin e saj në qarkun Dibër, ku legjislaturën e kaluar ai mori mbi 7000 vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›