E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH e Guvernatori, Krasniqi: Presidenti nuk e ka detyrim kushtetues konsultimin

Intervistoi: Nevila Perndoj

“Në Kushtetutë dhe në ligj nuk ka asnjë mekanizëm tjetër që kushtëzon konsultime paraprake me aktorë të ndryshëm politikë apo zgjedhje sipas kompromiseve politike”.

Këshilltari i Presidentit, Afrim Krasniqi, jep këtë qëndrim për pretendimin kryesor të demokratëve, se Kreu i Shtetit duhet të ishte konsultuar paraprakisht me partitë për drejtuesin e ardhshëm të KLSH-së. Por, a po e shfrytëzon Topi mandatin e tij të mbetur për krijimin e një partie të re, dhe a ka ndikuar debati mes tij Berishës dhe Topallit në dobësimin e institucionit që ai drejton? Krasniqi jep përgjigjet në një intervistë për gazetën “Mapo”.

Z. Krasniqi, para disa ditësh Presidenti i Republikës adresoi një padi në Gjykatën Kushtetuese lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese. A është ky një konflikt i ri politik i Presidentit me mazhorancën?

Presidenti në nismën e tij ushtroi një kompetencë të qartë kushtetuese, por edhe vuri në përdorim të vetmin mekanizëm kushtetues që mbeti i pakonsumuar. Prej më shumë se një viti kanë përfunduar mandatet për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Debati mbi zëvendësimin e tyre është para së gjithash debat kushtetues dhe zgjidhja vjen vetëm përmes ndërhyrjeve kushtetuese. Presidenti iu adresua Parlamentit duke bërë emërimet për gjyqtarët, ata kaluan në komisionin parlamentar dhe pritej të kalonin në seancë plenare. Parlamenti ndoqi një praktikë të diskutueshme ligjore, duke kthyer dekretet pa shqyrtim parlamentar, duke interpretuar në mënyrë të njëanshme nenin kushtetues mbi procesin e zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i adresoi një letër zyrtare Parlamentit, ku e ftoi të korrigjojë qëndrimin dhe të zbatojë Kushtetutën aktuale, por pas përgjigjes refuzuese Presidenti po i adresohet Gjykatës Kushtetuese për të bërë përcaktimin ligjor të procedurës dhe përgjegjësisë kushtetuese të zëvendësimit. Problemet që ka Parlamenti për të siguruar konsensus për 84 vota për ndërhyrje në Kushtetutë në nenin përkatës, nuk mundet kurrsesi të mbajnë peng Gjykatën Kushtetuese, apo të improvizojnë praktika e procedura ekstra parlamentare që nuk kanë bazë kushtetuese. Vetë Gjykata Kushtetuese në një vendim të disa muajve më parë i kërkoi Parlamentit të zbatojë Kushtetutën, gjë që u interpretua ndryshe nga Parlamenti. Dy dokumentet më të rëndësishme politike të institucioneve ndërkombëtare mbi Shqipërinë, siç janë Progres Raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Raporti Vjetor i OSBE-së, adresuan kritika direkte mbi përgjegjësinë e Parlamentit në zgjidhjen e këtij problemi. Pra, janë dy raporte që certifikojnë qëndrimin kushtetues të Presidentit dhe që me siguri do të jenë edhe në të njëjtin nivel arsyetimi kushtetues edhe në vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, nuk kemi të bëjmë me debat politik apo konflikt politik, por sjellje institucionale presidenciale ndaj një procesi dukshëm në kundërshtim me frymën dhe nenet kushtetuese.

A mendoni se debatet e fundit midis Presidentit dhe kryetarit të Parlamentit apo Kryeministrit etj., kanë ndikim në dobësimin e institucioneve që ata përfaqësojnë, duke kaluar në plan të parë luftën personale mes tyre?

Nuk ka arsye të besohet se qytetari Bamir Topi po ndjek një politikë individuale, por janë gjitha arsyet për të kuptuar se bëhet fjalë për qëndrim tërësisht kushtetues e institucional të Presidentit. Nëse ka një politikan aktiv politik në këto vite, që nuk ka personalizuar debatet politike, besoj se ky është Presidenti aktual, i cili në përputhje me detyrën kushtetuese ka qenë i baraslarguar nga palët politike, institucional në marrëdhënie me aktorët politikë dhe i vetëpërmbajtur edhe ndaj fushatave denigruese, tipike për një vend me probleme të mëdha në kulturën politike dhe mentalitetet e vjetra. Natyrisht aktorë të tjerë politikë, sidomos politikanë aktivë që kalkulojnë vota dhe bastione elektorale, shihet qartë se kanë sjellje tjetër dhe mbeten të interesuar të personalizojnë politikën, për të ulur peshën e institucioneve kushtetuese mbipartiake. Kjo nuk është e re dhe kjo është një prej arsyeve që raport-progresi i BE-së fajëson direkt liderët politikë partiakë për dështimin për vitin e dytë të shansit shqiptar për bisedimet e anëtarësimit në BE.

Pak kohë më parë, Presidenti i Republikës la të hapur mundësinë e krijimit të një partie të re politike të djathtë. A mendoni se ishte një qëndrim i parakohshëm nga ana e tij, duke pasur parasysh se ai vijon të jetë President i Republikës, deri në fund të muajit korrik të vitit të ardhshëm?

Kam përshtypjen se Presidenti la të kuptohet se do të jetë edhe më tej aktiv në jetën politike. Mendoj se kjo është e dobishme dhe është lajm i mirë. Vendi ka nevojë për individë e prurje politike që përfaqësojnë vlera qytetare, larg praktikave konfliktuale e denigruese të tranzicionit. Në praktikën rajonale e më tej ka raste të shumta të presidentëve që kanë vijuar të kenë rol politik pas mandatit, në Shqipëri dy nga katër presidentët e deritanishëm e kanë bërë e vijojnë ta bëjnë këtë gjë. Nga ana tjetër, Presidenti në asnjë rast nuk ka vënë në dyshim dhe as diskutim pozitën e tij kushtetuese, angazhimin për të ushtruar 100% funksionet presidenciale deri në konsumimin e mandatit kushtetues. Nëse Presidenti do ta shkelte këtë parim, pra do ta përdorte funksionin presidencial për të fituar aksione partiake për të ardhmen, kjo do të ishte problematike. Por Presidenti e ka thënë qartë dhe në asnjë veprim apo qëndrim të tij nuk ka dilemë se është tërësisht në përputhje me pozitën kushtetuese jopartiake, si përfaqësues i unitetit të popullit dhe kryetar mbipartiak i shtetit. Kjo është themelore. Debatet e tjera, mbi konotacionet apo kohën e artikulimit politik, janë gjëra që kushdo i interpreton siç dëshiron.

Sa i vështirë do të jetë ushtrimi i mandatit për vitin e mbetur, duke pasur parasysh se presidenti Topi për qëndrimet e tij kundrejt edhe disa ligjeve delikate po kritikohet ashpër nga qeveria, më saktë nga kreu i saj?

Kemi tashmë një traditë, të të paktën tre presidentëve, që në periudhën e fundit presidenciale atakohen dhe sulmohen nga mazhorancat në qeveri. Kjo është një sjellje parademokratike, jo serioze dhe fatkeqësisht një tregues real i standardit të demokracisë që kanë krijuar partitë politike në Shqipëri. Në një vend serioz që aspiron BE-në nuk mund të ndodhë që një ministër, titullar qeverie apo Parlamenti, deputet, zv.ministër apo funksionar i administratës civile, të sulmojë e denigrojë publikisht kryetarin e shtetit. Te ne ndodh dhe po ndodh, edhe për të na kujtuar distancën e standardeve tona me standardet e BE-së. Mentalitete që kërkojnë të gjejnë armikun tek individi apo institucioni që mendon në mënyrë të pavarur, është mentalitet që ne duhet ta kishim lënë pas 20 vjet më parë. Vetë Presidenti nuk mendoj se është ndikuar nga fushata e sjellje të tilla jo-institucionale, përkundrazi, ka qenë institucional në komunikime, dhe nëse ka kthime ligjesh, motivacionet nuk lidhen me qëndrime emocionale, por me argumente kushtetuese. P.sh. kur Presidenti ktheu ligjin për legalizimet, pati sulme, por Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë. Kështu ndodhi edhe me ligjin e pronës, Kodin Zgjedhor apo atë të lustracionit. Çuditërisht në vend që autorët e këtyre ligjeve të reflektonin për të korrigjuar vetveten në raport me Kushtetutën, ata janë në vijën e parë të çdo fushate sulmesh ndaj Presidentit.

Janë vetëm çështje ditësh edhe emrat për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe kryetarin e KLSH-së. Presidenti ka propozuar të dytin, i pari ende nuk ka emër. A duhet të inicionte Presidenti i Republikës ndonjë “fushatë” paraprake bisedimesh mes dy partive kryesore, me qëllim kalimin e emrave me kompromis?

Kushtetuta përcakton se Presidenti propozon kryetarin e KLSH, dhe Presidenti e ka ushtruar këtë të drejtë. Kandidimi është kushtetues, emri i kandiduar plotëson kriteret kushtetuese dhe është përgjegjësia e Parlamentit të miratojë ose jo dekretin e Presidentit. Për Bankën e Shqipërisë procedura është më e kufizuar, pasi Presidenti është i kushtëzuar të zgjedhë për Guvernator një prej emrave që ka zgjedhur Parlamenti ose Qeveria, pra një prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Sapo Qeveria e Parlamenti të plotësojnë vendet vakante, me siguri Presidenti do të dekretojë kandidatin për Guvernator, dekret që më pas kalon në Parlament. Në Kushtetutë dhe në ligj nuk ka asnjë mekanizëm tjetër që kushtëzon konsultime paraprake me aktorë të ndryshëm politikë apo zgjedhje sipas kompromiseve politike. Partitë që janë në Parlament kanë vota dhe kanë të drejtë t’i përdorin votat e tyre parlamentare për të dhënë qëndrimin e tyre pro ose kundër kandidatit të dekretuar, logjikisht një vendim që duhet të jetë institucional e kushtetues, jo i bazuar në emocione apo paragjykime politike, siç ka ndodhur disa herë me kandidatët për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Për më tepër, është koha që Parlamenti të reflektojë nga kritikat e shumta ndërkombëtare, përfshirë raport progresin e BE-së, për të ushtruar pozitivisht funksionet e tij në raport me proceset zgjedhore të institucioneve kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›