Topi në “Sofrën Pukjane”, shmang komentet politike
TIRANË Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit zhvilloi dje në mesditë një vizitë në qytetin verior të Pukës, me ftesë të kryetarit të bashkisë, ku mori pjesë në aktivitetin e përvitshëm tradicional “Sofra Pukjane 2011”. Pasi vizitoi “Ekspozitën etno-kulturore” të qytetit verior të Pukës, Kryetari i Shtetit mori pjesë në aktivitetin e përvitshëm “Sofra Pukjane 2011”, në Koncertin e madh festiv me këngë dhe valle popullore e karakteristike të trevës, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Eqerem Çabej”. Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Republikës ka shmangur komentet politike, duke u përqendruar më së shumti te traditat që karakterizojnë qytetin verior të Pukës. “E prita me shumë dëshirë, me shumë kënaqësi ftesën për të qenë midis jush te ‘Sofra Pukjane’. Këtë ‘Sofër’, e cila nuk simbolizon thjesht atë që pamë, atë që ne njohim të gjithë si sofër, ku burrat mblidhen së pari për të ngrënë, por mbi të gjitha, për të biseduar. ‘Sofra Pukjane’, sikurse është edhe ‘Sofra Tiranase’, sikurse është edhe ‘Oda Dibrane’, është një institucion shumë më i madh e shumë më simbolik, ku njerëzit mblidhen së pari për të biseduar për hallet e ditës, për të biseduar midis tyre për të ruajtur traditën dhe ajo çka pamë në këtë koncert të mrekullueshëm është pikërisht ruajtja e kësaj tradite të mrekullueshme që ka Puka, vendi i Migjenit dhe vendi i një tradite të lashtë...”, - tha dje Topi. Presidenti i Republikës ka dekoruar edhe dy personalitete të njohura të Pukës: “Nga Puka kanë dalë njerëz të shquar: shkencëtarë, politikanë, njerëz të artit e të kulturës. Një pjesë e tyre është padyshim këtu mes jush. Një pjesë ishte këtu, në këtë koncert të mrekullueshëm. Dhe unë kam ardhur sot jo vetëm për të qenë pjesë e kësaj atmosfere, por edhe për ta nderuar Pukën. Për ta nderuar pikërisht me ato figura për të cilat krenohet Puka dhe krenohet e gjithë Shqipëria. Pjesë e këtij respekti patjetër që do të jenë dy dekorime për një personazh, që është në historinë e trevës suaj, i cili nderohet pas vdekjes: Mark Dodë Alia, i cili hapi shkollën e parë në fshatin e tij në kohë shumë të vështira... Por nderojmë edhe një figurë tjetër, Prof. Elez Selimin...”