E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi-Curri: “Në Rumani, për rezultat pozitiv”

Hamdi Salihi, ishte autori i të tre golave në tri fitoret e fundit 1-0 të Shqipërisë në tri miqësoret kundër Malit të Zi, Andorës dhe Uzbekistanit. Sulmuesi i Kombëtares po përjeton një formë të mirë me skuadrën e tij austriake, Rapidin e Vjenës, për të cilin ka shënuar edhe një gol në kampionatin aktual (goli i tij i 50-të në Austri). Sulmuesi i Kombëtares, i cili ka veshur fanellën e kombëtares 22 herë (5 gola) ishte në unison me lojtarët e tjerë të përfaqësueses në prag të ndeshjes kundër një Rumanie, që ka disa mungesa, përfshirë dhe atë të kapitenit të saj, mbrojtësit të njohur të Interit, Kristian Kivu (i pezulluar). “Ne duhet të përqendrohemi te gjendja jonë jo te problemet e kundërshtarit pasi rezultatin pozitiv vetëm në atë mënyrë mund ta arrijmë”, - tha Salihi, autori edhe i golit të fundit zyrtar të Shqipërisë në ndeshjen e humbur 4-1 me Suedinë për eliminatoret e Kampionatit Botëror.

CURRI
Mbrojtësi i Kombëtares, Debatik Curri, beson se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të bërë një paraqitje pozitive kundër Rumanisë, ndaj së cilës në ndeshjen e fundit për eliminatoret e Euro 2008-s humbëm 6-1. Mbrojtësi i Genshlerbirlixhi në kampionatin turk në prag të nisjes eliminatoreve të Kampionatit Europian 2012, u shpreh entuziast gjatë konferencës për shtyp. “Besoj se nuk do të përsëritet ai rezultat aq i hidhur për ne pasi tani jemi ne grup i konsoliduar që kemi treguar se dimë të fitojmë. Pretendojmë një paraqitje të mirë. Vijmë pas disa rezultateve pozitive (pesë miqësore të suksesshme) dhe besoj se kemi dhe motivimin e duhur. Dëshirojmë të tregojmë se ky grup lojtarësh mund të zhvillojë lojëra të bukura”, - tha Curri, i cili numëron 32 ndeshje me Kombëtaren dhe është autori i golit kundër Holandës në kualifikueset e Euro 2008-s (11 tetor 2006, 2-1). Shqipëria do të luajë, më 3 shtator kundër Rumanisë në transfertë dhe më 7 shtator me Luksemburgun në Tiranë. Shqipëria nuk fiton një ndeshje ndaj Rumanisë prej vitit 1948, një sukses pikërisht në fushë kundërshtare. Kombëtarja më 7 shtator do të presë Luksemburgun në Tiranë.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 31 Gusht 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›