E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi: Më kërkoi Dinamo e Kievit, por dua titullin në Austri

TIRANE-Hamdi Salihi ka qenë një nga emrat më të përfolur në merkaton e kësaj vere, pas interesimit për të nga ana e disa prej klubeve më të mëdha të Lindjes, duke nisur nga Dinamo e Kievit apo Spartaku i Moskës. Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", sulmuesi kuqezi tregon gjithë të fshehtat e merkatos së lidhur me të, ndërsa i quan të padrejtë zërat që dyshojnë për ndeshjen e Flamurtarit. "E kemi ushqyer opinionin keq, por ne duhet të gëzohemi kur dy skuadrat tona kualifikohen", thotë Salihi.
Shumë zëra merkatoje për Hamdi Salihin këtë periudhë, do të ketë një ndryshim klubi këtë verë?
Ka patur vërtet shumë zëra e shumë kontakte, por t'ju them të drejtën, konkretisht kanë qenë pak gjëra, kështu që unë jam duke qëndruar këtu. Ka qenë një interesim i dy klubeve shumë të mëdha, si Dinamo e Kievit dhe Spartaku i Moskës, por edhe ato nuk bënë asnjëherë ofertë. Pjesa tjetër kanë qenë interesime nga klube të vogla, që mua nuk më kanë pëlqyer.
Dinamo e Kievit ju kërkonte për zëvendësues të Shevçenkos, do ta pranonit një lëvizje të tillë?
Natyrisht, bëhet fjalë për një klub shumë të madh. Por, interesimet janë të përhershme kur luan në klube si Rapidi. Unë pa parë letrat në tavolinë, nuk ndërmarr asnjë iniciativë. Me veten time kam vendosur që nëse lëviz, do ta bëj për një klub të madh, në të kundërt do të qëndroj këtu.
Si ndjehet një lojtar shqiptar kur e kërkojnë edhe klube të këtij niveli, që luajnë çdo vit në Champions League...
Për klube të tilla, ajo që mund të them është se edhe interesimi të jep një sodisfaksion, pasi është një vlerësim për punën që ke bërë gjatë vitit të shkuar.
Të erdhi keq që nuk e fitove "Këpucën e Artë" në javët e fundit?
Në fakt, ajo që më erdhi keq, është se nuk u kualifikuam për në Europa League. Momentet e mia më të paharrueshme kanë qenë në këtë kompeticion dhe kisha shumë dëshirë të shkonim. Këtë sezon luajtëm ndaj Portos, skuadrës që u shpall kampione, Hamburgut, më përpara kemi luajtur me Sëlltikun, Aston Vilën. Këtë vit do të mungojmë dhe më erdhi pak keq, ndërsa "Këpuca e Artë" është një sodisfaksion më shumë në aspektin personal.
Rapidi nuk fiton prej vitesh një titull, a është përforcuar mjaftueshëm për ta bërë një gjë të tillë këtë sezon?
Shikoni, çdo vit kur nis sezoni i ri, tifozët tanë kanë pankartat apo fanelat me mbishkrimin "33", pasi Rapidi ka fituar 32 deri tani, më shumë se çdo klub tjetër. Edhe këtë vit që iku ne mund ta fitonim, por ishim pak rrëmujë dhe na ndoqi pak fati i keq në disa ndeshje. Gjithsesi, në çdo sezon Rapidi niset si favoriti për fitimin e titullit kampion. Shpresoj t'ia arrijmë.
Hamdi, për të gjithë mbeti një mister se çfarë ndodhi në derbin me Austrinë e Vjenës, që ju e humbët 0-3. Tifozët u përleshën, pati dyshime se ju toleruat, ndërsa edhe ti vetë ishe në stol. Çfarë ndodhi realisht në atë takim?
Në fakt, nuk ishin dyshimet se ne toleruam, duke qenë se ishim pa objektiva. Por, tifozët e Austrisë së Vjenës dhe të Rapidit urrehen aq shumë me njëri-tjetrin, sa nuk mund ta tolerojnë që ne të humbasim një derbi 3-0. Kjo ishte e gjitha.
Ndërkohë, skuadrat shqiptare Flamurtari e Vllaznia janë kualifikuar, por nuk kanë munguar akuzat për trukime ndeshjesh...
Them se ne kështu e kemi ushqyer opinionin aty në Shqipëri, duke nisur nga lojtarët, gazetarët e të gjithë. Mund t'ju them vetëm se ne kemi një nivel shumë të ulët dhe atij kualifikimi duhet t'i gëzohemi të gjithë. Nuk arrij pastaj t'i kuptoj këto gjërat e tjera, se përse kërkojnë të nxjerrin gjëra që ndoshta nuk janë. Pastaj, tani është një periudhë, ku mund të mposhtësh çdo skuadër, pasi lojtarët janë të sapokthyer nga pushimet dhe nuk kanë përgatitjen e duhur fizike.
Tirana me Spartak Tërnavën apo Skënderbeu me Apoelin, kush e ka më të vështirë sipas jush?
Mendoj se më të vështirë e ka Skënderbeu. Unë personalisht kur u hodh shorti shpresoja t'u binte një skuadër më e lehtë, pasi doja që të ecnin. Janë bërë një klub shumë profesionist dhe këtë e pashë që kur nisën fazën përgatitore në kohë dhe me skuadër të kompletuar. Madje, kur u hodh shorti, ekipi që pyeta i pari ishte për Skënderbeun, se me kë i ra. Gjithsesi, Apoeli nuk është i fortë sa dy vjet më parë, të jeni të sigurt. Sa për Tiranën mund të them se ajo ishte disi më e favorizuar. Edhe pse i ka nisur vonë përgatitjet, është një ekip me më shumë traditë në Evropë.
Cana te Lacio, Hyka te Lucerna, Roshi te Këlni. Si e komentoni merkaton e lojtarëve shqiptarë këtë verë?
Mendoj se për emrin që ka futbolli ynë, janë lëvizje shumë, shumë të mira. Kanë shkuar në kampionate më të fortë se ata që ishin dhe uroj që të kenë një sezon të mirë.
E sheh Roshin aktualisht në kombëtare?
Unë shpresoj që ai të bëjë një sezon të mirë në Gjermani, pastaj kombëtarja aty është dhe ai e ka të ardhmen përpara.

(d.b/GazetShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›