E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi: Nuk iki nga Rapidi, por dua të luaj më shumë

Polemika

Njihet si një ndër golashënuesit më të frikshëm në Austri, por statusi i tij është “zëvendësuesi”. Një fakt që Hamdi Salihi nuk e përtyp dot. Pas një sezoni, ku heshtjen për mosktivizimin e vazhdueshëm e shoqëroi me gola, sa herë që i jepej mundësia të zbriste në fushë qoftë edhe për pak minuta, tani bomberi shqiptar ka vendosur të ngrejë zërin. Ai ndihet i lodhur me rolin e “jokerit” në skuadër dhe këmbëngul se meriton më shumë hapësirë në radhët e Rapidit të Vjenës. “Prisja shumë më shumë aktivizime gjatë këtij sezoni, pasi kur kam ardhur këtu kam shënuar gola dhe mendova se do të zë vend në 11-shen titullare. Në pjesën e dytë të sezonit luaja rolin e ‘jokerit’, më pëlqente në fillim, por pastaj gjërat ndryshuan dhe dëshiroja të luaj nga minuta e parë”, ka polemizuar Salihi. Në pjesën e parë të sezonit ishte sulmuesi kyç i Rapidit me 11 gola të shënuar, edhe pse shpesh përfundonte në pankinë. Por në të dytën ka shënuar vetëm 3 (në total 14 gola), pasi trajneri Pakult e gozhdoi në stol. “Nëse shënon dy gola në fundjavë dhe nuk je në formë të mirë gjatë stërvitjes atëherë trajneri vendos të mos të të aktivizojë, por kjo nuk ngjau me mua, unë isha në formë dhe shënoja". Salihi hedh poshtë edhe zërat e merkatos për një kthim te Rapidi. "Jam i lumtur te Rapidi, pasi është skuadër e madhe dhe lufton gjithnjë për titull. Kam kontratë tre vjet dhe do ta respektoj deri në fund. Nuk dëshiroj të kthehem sërish te Ried, edhe pse ekziston dëshira e tifozëve që unë të kthehem atje”, përfundon sulmuesi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›