E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulejman Starova: Hapi fals, fatal

Trajneri i Tiranës kërkon me patjetër fitore në derbin me Dinamon

Sulejman Starova u bën thirrje futbollistëve të Tiranës që të jenë plotësisht të përqendruar për derbin e së premtes kundër Dinamos. Trajneri e cilëson si shumë të rëndësishme sfidën me kampionët e Shqipërisë për sezonin 2009-2010, pasi me këto tri pikë, bardheblutë do ta fusnin në kasafortë përfaqësimin në turet eliminatore të Europa League. Ai ka deklaruar se skuadra duhet të shfrytëzojë maksimalisht asistin e Besës, që me fitimin e Kupës së Shqipërisë, i ka hapur rrugën drejt sfidave ndërkombëtare, Tiranës që renditet e katërta në Kategorinë Superiore. “Na është dhënë një mundësi e shkëlqyer. Fakti që Besa do të luajë në Europa League si fituese e Kupës i jep skuadrës së katërt në kampionat të drejtën që të luajë edhe ajo në aktivitetet europiane”, deklaroi Starova. “Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum shansin që kemi dhe të ruajmë vendin e katërt nga Flamurtari, që është ndjekësi ynë më i afërt. Në derbin me Dinamon kërkojmë me patjetër tri pikët për ta mbyllur përfundimisht këtë çështje”.

Mundësitë që Tirana të pësojë rënie në klasifikim janë minimale, por asgjë nuk mund të cilësohet e pamundur. Nëse ata humbasin dy ndeshjet e fundit, fillimisht me Dinamon dhe më pas me Skënderbeun dhe vlonjatët e drejtuar nga Gugash Magani marrin gjashtë pikët e plota, makthi i qëndrimit jashtë kupave europiane shndërrohet në realitet. Flamurtari, i vendit të pestë, ka 4 pikë më pak se kryeqytetasit dhe në dy javët e fundit luan kundër Teutës dhe Shkumbinit. Sipas Starovës, do të ishte fatale që Tirana të dështonte në objektivin e vetëm të mbetur për këtë sezon. “Dinamo ka qenë skuadra më e mirë për pjesën më të madhe të sezonit, por pavarësisht rivalitetit që ekziston në një derbi, ata nuk po kalojnë një moment të mirë. Duhet të përfitojmë nga ky fakt, pasi duke fituar të premten (nesër) nuk do të lëmë asgjë pezull për minutat e fundit dhe kjo e ndihmon skuadrën të jetë më e qetë. Do të ishte fatale nëse nuk do ta shfrytëzonim shansin e dhënë”. Problem për sfidën kundër bluve janë mungesat në radhët e Tiranës. Skuadra e drejtuar nga Starova do të paraqitet në fushën e lojës pa kapitenin Devis Mukaj dhe mbrojtësin nigerian, Abraham Aleçenvu. Të dy lojtarët janë të pezulluar me kartonë dhe do ta ndjekin ndeshjen nga tribuna.

Dinamo i ka fituar të dyja sfidat e mëparshme në këtë kampionat, me rezultatin e njëjtë, 2-1. Në të dyja përballjet, Elis Bakaj është shndërruar në protagonist kryesor. Përveç dy golave që ka realizuar (nga një në secilën ndeshje), në derbin e javës së 18-të, sulmuesi i Kombëtares pati edhe një debat të ashpër me Mukën, që shkaktoi shumë probleme në fushë dhe në tribuna. Prej atyre episodeve, vetëm pak ditë më parë, Bakaj ka “kërcënuar” Dinamon se nuk do të pranojë të zbresë në fushën e lojës, nëse skuadra e Muçës do të mendojë t’i tolerojë kundërshtarët. Blutë paraqiten në këtë takim me titullin kampion në xhep. Ata u shpallën fitues të Superiores në javën e 29-të, me 58 pikë (kuotë në të cilën ndodhen aktualisht). Në anën tjetër, Tirana ka grumbulluar 48 pikë dhe me një fitore ata do të ishin matematikisht në Europa League. Gjithsesi, drejtuesit e klubit e cilësojnë virtualisht të mbyllur garën dhe kanë filluar të mendojnë për merkaton. Synimi është të ndërtohet një skuadër e denjë për kupat e Europës, e cila do të jetë edhe konkurrente për titullin në edicionin e ardhshëm.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›