Vllaznia dhe Martini, fundi i sezonit, fundi i dashurisë?
I zhgënjyer nga humbja e finales së Kupës së Shqipërisë ndaj Besës, në një moment dëshpërimi, vendosi të marrë mbi vete përgjegjësitë e dështimit dhe dha “dorëheqjen”, por vetëm pak orë më pas, i bindur nga presidenti Valter Fushaj, trajneri Edi Martini bërë prapakthehu, duke u ulur sërish në pankinën e Vllaznisë. U rikthye, por jo për shumë gjatë. Dy ndeshjet e fundit të Vllaznisë në këtë sezon, ato kundër Apolonisë (14 maj, në Fier) dhe Teutës (19 maj, në Shkodër) mund të jenë të fundit që trajneri Edi Martini do të drejtojë kuqeblutë. Kjo është e reja më e fundit, që përflitet në ambientet kuqeblu, i cili në këto javë të fundit do të luftojë për të siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore. Sipas burimit të mësipërm, fakti që presidenti Fushaj nuk pranoi dorëheqjen e teknikut, jo domosdoshmërisht nënkupton se Martini do të jetë trajneri i shkodranëve edhe në sezonin e tjetër. Madje, flitet se në tentativën për të bindur trajnerin të rikthehet, Fushaj i ka kërkuar të mos e lërë ekipin në baltë, tani kur duhet të luhen edhe dy javët e fundit të kampionatit. Largimi i teknikut në këto momente do të ishte një tjetër goditje për Vllazninë, e cila ende nuk e ka garantuar shpëtimin matematik nga rënia. Por aventura e tij në krye të kuqebluve duket se do të përfundojë pas datës 19 maj (Vllaznia-Teuta), pasi nuk pritet të jetë njeriu që do të ndërtojë Vllazninë e edicionit të ardhshëm, atë 2010-2011. Martini, i cili ia doli sezonin e kaluar t’i japë Laçit trofeun e kampionit të Kategorisë së Parë, por që nuk i drejtoi kurbinasit në Kategorinë Superiore, ndërtoi një Vllazni me mentalitet fituesi, që në momentin, kur e mori drejtimin e skuadrën shkodrane në javën e 18-të, pasi më parë kishin dështuar Hasan Lika (5 javë) dhe Roland Luçi (12 javë). Pas 31 javësh Vllaznia ndodhet në vendin e 6-të me 43 pikë, pesë më shumë se Apolonia e vendit të 11-të, duke mos e llogaritur fare Gramozin e rënë nga Kategoria. Presidenti Fushaj ka vendosur një premio prej 10 mijë eurosh për fitoren në Fier me Apoloninë. Në dy takimet me Apoloninë, Vllaznia ka marrë katër pikë këtë sezon. Në dyshim kundër Apolonisë janë portieri Armir Grima dhe mesfushori Ndriçim Shtubina. Nga ana tjetër, mesfushori Xhejms Feniks, i pari anglez që ka luajtur në Shqipëri e për më tepër në finalen e Kupës, rinisi justifikimet e tij të panumërta, duke mos dalë në stërvitjen e radhës. I kishte munguar klubit për dy muaj me radhë, erdhi dhe luajti finalen e Kupës, por iu rikthyer sërish ankesave: këtë herë i dhemb gjuri.
#