E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi, "bingo" me të parën te Rapidi i Vjenës

 

Leonard Karaj

Gol që në ndeshjen e parë me Rapidin. Debutimi i Hamdi Salihit nuk mund të ishte më i mirë se kaq, për më tepër ndaj kampionëve në fuqi të Salzburgut. Nuk ka pasur shumë fat kohët e fundit me fanellën e Kombëtares shqiptare kur megjithëse ka qenë ndër më të mirët nuk ka mundur të shënojë. Tjetër gjë në kampionat. Hyn si zëvendësues dhe kthen gjithçka. Nga 0-2 për "miqtë" në 2-2 ku natyrisht merita më e veçantë i takon sulmuesit shkodran Hamdi Salihi, në ndeshjen e tij të parë me fanellën e Rapidit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare i dha një pikë të çmuar skuadrës së tij në përballjen e përfunduar 2-2 kundër kampionëve të Austrisë, Salzburg. Red Bull Salzburg kryesoi 0-2, duke shënuar brenda dy minutash: Tchoyi 38', Svento 39'. Rapidi i Vjenës u kundërpërgjigj me Hofman (59') dhe me Hamdi Salihin (84'). Sulmuesi shkodran e nisi lojën nga pankina, kjo pasi trajneri Pakult pati theksuar se dëshironte që të mos "digjte" etapat për të duke i lënë paksa kohë për t’u ambientuar me skuadrën e tij të re. Por duke parë rezultatin 0-2 trajneri hodhi në fushë kartën "Salihi", i cili nuk zhgënjeu aspak. Ky ishte goli i tretë sezonal për Salihin, dy nga këto me ish-skuadrën e tij, SV Ried. Një shpërblim i menjëhershëm i Hamdiut ndaj besimit që tregoi ndaj tij trajneri Peter Pakult. Ndërkohë objektivi personal i sulmuesit është shënimi i më shumë se 14 golave, shifër të cilën e arriti vitin e kaluar te Ried.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›