Shtyhet turi i kandidatëve për kreun e PS-së
Takimet mes dy kandidatëve për kreun socialist janë ndërprerë për rreth tre ditë. Të mërkurën, Maqo Lakrori dhe Edi Rama do të jenë në qarkun e Kukësit ku do të vazhdojnë me paraqitjen e platformave konkurruese. Për shkak të një udhëtimi jashtë shtetit të Ramës, takimet shtyhen për tre ditë, duke rinisur të mërkurën. Dy kandidatët kanë zhvilluar takimet e para të një turi që do të organizohet në të gjitha qarqet e vendit. Siparin e këtij turi e hapi Elbasani, ku dy kandidatët kanë prezantuar sipas mënyrës së vet platformën e tyre për të ndryshuar PS. Më pas takimet kanë vijuar në Durrës dhe dje në Lezhë dhe Shkodër. Ajo që bie në sy në këto takime, është pjesëmarrja e madhe e qytetarëve, anëtarë ose jo të PS-së, të cilët drejtojnë pyetje për të dy garuesit.