E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes tifozi, shtyhet sfida Juventus-Parma

Java e 12 e fazës së parë të Serisë A: vdes Gabriele Sandri, një tifoz i ri i Lacios, i cili goditet për vdekje në një autogril nga një polic. Atë të diel nuk u luajtën takimet Inter-Lacio, Roma-Kaljari dhe Atalanta-Milan. Java e 12 e fazës së dytë (e 31-ta për nga rendi numerik): një tifoz 28-vjeçar i Parmës humbet jetën. Mateo Banjaresti shtypet në një autogril nga një furgon i tifozëve juventinë, takimi Juventus-Parma shtyhet. Ndërkohë, në shenjë nderimi, në të gjitha fushat e tjera është mbajtur 1 minutë heshtje përpara fërshëllimës së fillimit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30, ndërmjet Aleksandrisë dhe Astit në drejtim të Torinos. Sipas rindërtimit të parë të episodit, në stacionin e shërbimit janë "kryqëzuar" një autobus i tifozëve të Parmës dhe një mjet transporti 9-vendësh me tifozë bardhezinj. Ende nuk është e qartë se si ka rrjedhur ngjarja: sipas disa dëshmitarëve, fugoni me mbështetësit juventinë është sulmuar nga tifozët kundërshtarë, ndërsa sipas disa të tjerëve kanë qenë bardhezinjtë ata që kanë provokuar kundërshtarët, ndërkohë që këta të fundit po hanin drekën. Në mes të atij tensioni që po rritej nga çasti në çast, duket se shoferi i furgonit është nisur në mënyrë të papritur duke shtypur 28-vjeçarin. Personi i cili po transportonte tifozët juventinë, i cili është marrë në pyetje gjatë gjithë pasdites, është ndaluar nga forcat e rendit vetëm pak kilometra larg vendngjarjes dhe ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se kishte shtypur një njeri. Në autogrilin ku ka ndodhur tragjedia kanë mbërritur mjeku ligjor, por edhe familjarët e tifozit të Parmës, që ishte pjesëtar i grupit "Boys".

Pezullimi i ndeshjes ka ardhur pas një vendimi të përbashkët të marrë nga drejtuesit e të dyja klubeve. Konfirmimi ka ardhur nga presidenti i Juventusit, Koboli Xhilji dhe nga kolegu i tij i Parmës, Girardi. "Veprimi më logjik që mund të bëhej ishte që kjo ndeshje të mos luhej. Treguam ndjenjë përgjegjësie për atë që ndodhi dhe respekt ndaj familjarëve të viktimës", deklaroi Koboli Xhilji në konferencën për shtyp të organizuar në ambientet e stadiumit "Olimpik". "Kemi rënë menjëherë dakord që sfida të mos zhvillohej dhe dëshiroj të falënderoj Juventusin për disponibilitetin e treguar", shtoi njëshi i Parmës, Girardi. "Jemi të tronditur për atë që ndodhi dhe i jap ngushëllimet e mia familjes së Mateos. Nuk arrij ta imagjinoj dhimbjen e tyre. Është një tragjedi, pasi ka humbur jetën një djalosh që ishte vetëm 3-4 vjet më i ri se unë". Të dy drejtuesit e klubeve kanë qenë në sinkron, duke deklaruar se ajo që ndodhi është thjesht fatkeqësi, megjithatë Koboli Xhilji u ka kërkuar të gjithëve që të presin rindërtimin e ngjarjeve nga forcat e rendit. "Uroj që kjo zi të mos ketë ardhur pas përplasjeve mes tifozerive, vazhdoi drejtuesi bardhezi. Ajo që ndodhi është shumë e rëndë. Çdo ditë në Itali ndodhin dhjetëra aksidente, por kur përfshihet një tifoz më duket e natyrshme që ndeshjet mos të luhen". Data e parë e propozuar nga të dyja klubet për zhvillimin e ndeshjes është 16 prilli, por vendimin final do ta marrë Liga e Futbollit, pasi në të njëjtën ditë luhen gjysmëfinalet e para të Kupës së Italisë (Inter-Lacio e Roma-Katania).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›