E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi, dopieta e parë me Rapidin

 

Leonard Karaj

Nuk di të ndalet Hamdi Salihi. Sulmuesi shqiptar ka shënuar një dopietë në fitoren e djeshme ndaj SC Magna, në kampionatin austriak.Salihi, i cili luajti për herë të parë si titullar me Rapidin që prej kalimit te kjo skuadër në limitet e merkatos së verës, ka sigluar edhe golin e tretë për këtë skuadër në kampionat. Ndërsa në total shkodrani ka shënuar 4 gola (një me Riedin) në kampionatin austriak. Në plan të parë në takimin e djeshëm ka dalë edhe një tjetër shqiptar, Mensur Kurtishi, nga Maqedonia, i cili shënoi edhe golin e parë dhe të vetëm të SC Magna, në minutën e 25-të duke i dhënë avantazhin provizor këtij ekipi. Dy minuta para shënimit të këtij goli Hamdi Salihi u ndëshkua me karton të verdhë, sipas gjyqtarit për simulim në zonën e rreptësisë. Shkodrani u rrëzua në zonë pas një kontakti me një mbrojtës kundërshtar, por për arbitrin nuk ishte veçse një simulim. Gjithsesi golin nuk do të vononte shumë. Nuk do të kalonin as dy minuta kur goleadori shqiptar do të kundërpërgjigjej me golin e barazimit. Dy minuta para përfundimit të takimit, shkodrani shënoi edhe golin e tretë për ekipin e tij dhe të dytin personal në këtë takim, duke vulosur 3-1 fitoren e Rapid. Mensur Kurtishi u largua nga fusha e lojës dhe u zëvendësua në minutën e 65-të. Ndërkohë në kampionatet e tjera Mainz i Jahmir Hykës pësoi një humbje të thellë në fushën e Verder Bremenit (3-0). Mesfushori shqiptar luajti si zëvendësues prej minutës së 68-të të pjesës së dytë, por pa mundur që të ndryshojë diçka në lojën e skuadrës së tij. Ndrësa ka qëndruar përgjatë 90-të minutave lojë në pankinë, Besart Berisha në fitoren e Arminia Bielefeld ndaj St. Paulit (1-0). Akoma më keq ka shkuar kjo javë edhe për Krivbasin e Hidit, Bulkut, Agollit dhe Bylykbashit, i cili ka humbur në fushën e vet (humbja e 6-të në 7 takime) ndaj Metalurg Donetsk. Vetëm Agolli luajti si zëvendësues në këtë takim, ndërsa Hidi, Bulku dhe Bylykbashi, si titullarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›