E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qetësohet situata, Euro 5 lekë më lirë

 

Euro ka humbur terren ndaj monedhës vendase. Pasi theu rekordin pak ditë më parë, më së fundmi euro është zhvlerësuar me 5 pikë ndaj lekut. Por, pavarësisht këtij zhvlerësimi, përsëri niveli i euros në kursin e këmbimit mbetet i lartë. Dje në agjencitë e këmbimit valutor një euro blihej me 133.8 lekë dhe shitej me 135 lekë. Pra euro ka humbur 5 pikë kundrejt monedhës shqiptare, lekut, gjatë tri ditëve të fundit në këmbimet valutore. Vetëm katër ditë më parë një euro blihej me 137.3 lekë dhe është shitur me 140 lekë, duke thyer kështu çdo rekord të shënuar më parë. Por ky mbiçmim i euros, sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë, ishte abuzues dhe provizor. Pas deklaratave të zyrtarëve të lartë të qeverisë, euro nisi të humbë terren ndaj lekut, por që gjithsesi mbetet në kuota të larta. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një euro është blerë në tregun e këmbimeve valutore mesatarisht me 123.7 lekë dhe është shitur me 124.2 lekë. Zhvlerësimi i lekut ka efekte për ekonominë e vendit dhe mbi të gjitha për vetë konsumatorët. Shkak për mbiçmimin e euros është mungesa e saj në treg. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit emigrantët sollën më pak para tek të afërmit e tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, gjatë 3-mujorit të dytë të vitit “transfertat korente neto u vlerësuan në 237 milionë euro, nga të cilat 198 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 4% nga vlera prej 207 milionë eurosh e një viti më parë. Njëkohësisht, vihet re rënie e transfertave dalëse të sektorëve të tjerë me rreth 27%”. Ulja e remintancave ka ardhur si pasojë e krizës globale. Rënia e të ardhurave të emigrantëve ka pasur një efekt negativ jo vetëm te familjet që kanë si burim kryesor remintancat, por ka pasur efekte negative edhe në vetë ekonominë e vendit. Sipas ekspertëve, ekuilibrat e tregut të këmbimit janë prishur, pasi kërkesa për euro është më e madhe se oferta dhe kjo ka shkaktuar rënien e vlerës së lekut dhe mbiçmimin e monedhës evropiane. Por forcimi i monedhës evropiane ka goxha efekt te konsumatorët. Ato që preken më shumë nga forcimi i euros janë individët që kanë marrë një kredi në euro. Një tjetër efekt që pritet të japë vlerësimi i monedhës evropiane është edhe rritja e çmimeve. Kjo, pasi pritet shtrenjtim i mallrave të importit dhe rrjedhimisht të çmimeve në treg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›