Koçi - Martesë ...kurrë më
arta marku
Kur u martua, karriera e tij ishte larg asaj që është tani. Zgjodhi për grua një aktore të bukur,
asokohe studente. Dhe bënë bashkë një vajzë. Por marrëdhënia nuk funksionoi. Nuk qe
prerja e artë as për njërin e as për tjetrin. Ama, ajo që ditën të bënin mirë që të dy, Fatmir
Koçi dhe Suela Konjari ishte mirërritja e vajzës. U divorcuan, por u përpoqën (dhe ia dolën)
ta rrisnin të bijën pa i krijuar ndjesinë e mungesës. Sepse në të vërtetë, sado paradoksale të duket, vajza e regjisorit me aktoren, u rrit me të dy prindërit e vet. Jo se jetonin në të njëjtën shtëpi. Aspak. Por ata ishin bashkë, një treshe kompakte, shumë shpesh. Sepse kështu i duhej vajzës, i bënte mirë asaj, ndikonte pozitivisht në rritjen e saj. Ndaj ish-burrë e grua nuk hezitonin aspak të bënin së bashku një shëtitje, të shkonin në një restorant apo edhe për dy javë të tëra, me pushimet e fundvitit. Dhe vajza kishte kënaqësinë të shijonte treshen familjare. Koçi e Konjari, në të vërtetë, janë një rast i rrallë në këtë drejtim.
Tashmë divorci është një fakt për regjisorin Koçi, ashtu si martesa më parë. 50-vjeçar, edhe pse nuk lë këtë përshtypje në pamje të parë, Koçi thotë se ka vendosur përfundimisht të quhet një burrë i divorcuar. Sepse te martesa nuk beson. Por nuk duhet të jetë rezultat zhgënjyes i martesës së parë. Ai thjesht nuk funksionon dot në çift. Sepse deri më tash asnjëra prej grave nuk e bëri dot të ndryshojë mendim. Dhe pak gjasa ka që një tjetër grua në të ardhmen t’ia dalë. Apo mos ndoshta, gjithë problemi është se kanë dalë nga skena gratë e hapësirës kohore mes viteve 1890-1980? E sidomos, ngaqë janë bërë pjesë e kujtimeve kinematografike, gratë e të ashtuquajturës “la belle epoque”, me feminilitet të theksuar dhe sharm ulëritës? A thua po të ekzistonin ende ato gra, apo ai imazh femëror, Koçi do të mendonte ndryshe për martesën? Jo, jo... me siguri, pavarësisht kohës dhe imazhit femëror që në çdo kohë pjell, Koçi do të kish qenë i njëjti burrë...
Kur ai flet për gratë, zbulon një përzierje të çuditshme të racionalitetit me irracionalitetin. Ama, kjo gjë atë nuk e shtie në konfuzion. Përkundrazi. Madje këmbëngul: “Irracionaliteti im ndihmon racionalen time. Ose, racionalja është një gur ku mbështetet irracionaliteti im. Ndryshe unë nuk ekzistoj”.
Por i rëndësishëm është sinqeriteti i tij. Mungesa e maskave. Së paku kështu thotë, duke e vlerësuar sinqeritetin si pronë të të fortëve, të të mençurve, të të mirëve. Kështu e dëshiron veten, edhe kur flet për gratë, gjithnjë referuar përvojës së tij, prej një 50-vjeçari tërheqës dhe profesionalisht të suksesshëm...
Ç’është gruaja sipas jush?
Hygoi po më vjen ndërmend tani. Ai thotë: “Bëhu skllav i gruas që të jesh mbret i saj”.
E bukur apo e mençur?
Femërore. (E kundërta femërore e mashkulloritetit tim). Feminiliteti duhet të jetë thelbi i saj. Sharmi.
Feminiliteti është imazh, fasadë apo mençuri?
S’ka bukuri në trupin e një idioti. Sakaq, bukuria e jashtme s’ka vlerë kur gruaja nuk e di që është e bukur. Dhe të dish, të njohësh veten, është mençuri. Pastaj kjo rrezatohet së jashtmi. Unë nuk kam nevojë që një grua të hapë gojën për t’ia njohur vlerat asaj. Sepse kam sy që të shoh atë që ajo reflekton. S’ka se si ajo të reflektojë atë që s’e ka. Edhe nëse dëshiron, përpiqet, ajo s’mund të shihet, sepse nuk ekziston.
Cila është femra ideale sipas jush?
Femra e viteve 1890-1980. Imazhi femëror i kësaj periudhe më tërheq vëmendjen.
Kjo është përgjigje kineasti. Unë desha të di për modelet. A keni të tillë që ju udhëheqin para se të bëni një zgjedhje?
S’kam pasur kurrë. Kjo më ka shpëtuar. Fundja mua më ka rritur gjyshi. Me nënën kam pasur marrëdhënie të distancuara për një kohë të gjatë. Kam dalë në rrugë shumë shpejt, pra nuk kam pasur ndikim nga nëna lidhur me modelin e gruas...
Po, nëna mund të jetë një lloj modeli, shpesh i pavetëdijshëm për një burrë, në momentin kur zgjedh gruan. Por jo vetëm. Ka raste kur modelet vijnë nga artet, letërsia, filmat... apo edhe historia...
Po, nëse e keni fjalën këtu, Kleopatra është një lloj modeli për mua. Gruaja 19-vjeçare që edhe burrit më të fortë të botës, siç ishte Jul Qesari, ia kuptoi dobësitë...
Do t’iu bënte ky tip gruaje të martoheshit me të?
Jo, jo. Unë s’martohem më. Jam martuar një herë dhe e kam një vajzë. Kaq, s’martohem më. Provat e deritanishme nuk janë pak.
Po pse? Asnjë joshje drejt martesës!
S’besoj te martesa. Martesa është thjesht për të pjellë fëmijë. Unë besoj te dashuria, te pasioni, te romanca... si përfundim te ÇASTI. Pastaj besoj te ndryshimi, te rritja, te rritja ime, të rritja e tjetrit, te krijimi i disniveleve... dhe këto e prishin një raport.
Thonë se martesa është fat...
Fat? Thatë fat? Jo, jo martesa nuk është fat. Martesa është fakt. Është një vendim që e marrin dy njerëz për të jetuar bashkë. Dhe kaq. Pastaj nëse ata munden të jetojnë bashkë 100 ditë apo 100 vjet kjo është tjetër gjë.
Si ndryshon gruaja në momentin që shndërrohet në nënë të fëmijës suaj? Kjo është një përvojë e njohur për ju.
Në një çift që nuk ushqen dashuri për njëri-tjetrin, lindja e fëmijës bëhet gangrenë. Absolutisht nuk ndikon për mirë. Kur çifti duhet, shndërrimi i gruas në nënë mund të jetë porta e lumturisë...
Që një grua dhe një burrë të jenë mirë bashkë, duhet të kenë karaktere të njëjta, apo të kundërta?
Besoj se të ngjashmit afrohen në këtë rast.
E përcaktojnë gruan si të mistershme, enigmatike...
Ky është një budallallëk. Gruaja nuk është mister, është thjesht e pasur.
Ky konkluzion është rezultat i njohjes? Ndryshe e thënë numri i madh i grave me të cilat jeni shoqëruar ju ka ndihmuar të arrini në këtë përfundim?
Nuk është i madh numri grave që kam pasur. Është thjesht një numër kuptimplotë. E rëndësishme është se me femrat që kam pasur kam ndarë të vërtetën tonë të përbashkët, atë fizike dhe intelektuale. Dhe si përfundim mund të them pa frikë se femra s’është aspak e ngatërruar. Ajo mund të jetë më e avancuar në atë që do dhe në mënyrën se si e kërkon atë që do.
Gërmoni ta njihni një grua pasi lidheni me të?
Nëse nuk e kuptoj dhe ndiej që në momentin e parë nuk lidhem me të. Nëse jam lidhur s’ka më vend për gërmime, sepse e di, s’do të gjej gjë.
Sa i vëmendshëm jeni ndaj tekave femërore?
Më pëlqen femra kur përkëdhelet. Por jo përkëdhelje budallaqe. E kam fjalën për përkëdheljet e natyrshme që burojnë, që janë pjesë e gruas.
Bëni dhurata? U jepi rëndësi datave?
Dhuroj lule dhe bëj surpriza. Datat i shpërfill. S’dua t’i kushtoj rëndësi, qëllimisht jo se i harroj. I shoh si gjëra të vogla. Ka gjëra më me vlerë se ato në një marrëdhënie.
Për shembull?
Po ja, një surprizë ka më shumë vlerë? Le të themi të jem aty ku ajo nuk e pret të jem.
Surprizat janë gjithnjë të mirëpritura?
Jo, s’ka se si. Unë mund ta surprizoj një grua duke i thënë: “s’të dua më”. Dhe e them menjëherë sapo e ndiej ta them këtë gjë.
Kaq troç, kaq ashpër!?
Është e sinqertë. Por forma e shprehjes mund të jetë edhe disi më e përpunuar. Për shembull: “atë që ti po e mendon... po ta them unë i pari: s’të dua më”.
Ego për të qenë një hap përpara, apo dëshirë për ta ndihmuar dikë të thotë një gjë vështirë të thënshme?
Po. po, për ta lehtësuar atë nga pesha e asaj që duhet të thotë, por edhe për të fituar lirinë time...
Ç’është fundi i një marrëdhënieje për ju? Ç’është ndarja?
Një shkëputje. Është si të thuash që një periudhë të kohës e lë pas. Dhe ecën përpara.
A e dini ç’mendojnë gratë për ju?
Diçka di: mendojnë se jam egoist, i urtë, që ndryshoj dinamikë, që nuk fal gënjeshtrën...
Konkluzione të sakta?
Edhe mund të jenë të sakta. Por s’kanë ndonjë rol tek unë. Ose më mirë të them, mendimi i një gruaje, cilido qoftë ai, për mua ka vlerë për aq kohë sa unë edhe ajo jetojmë në një realitet të përbashkët. Dhe kaq.
Edhe një detaj i fundit: Të qenit baba i një vajze, ç’është për ju?
Kënaqësi. Nuk e teproj po të them se jam një baba me të vërtetë i mirë. Luajmë me time bijë, flasim seriozisht, diskutojmë. argëtohemi. Ndodh që pikërisht asaj t’i duket çilimi në momente të caktuara. Ama kur flasim seriozisht jam më se serioz.
Çfarë i mësoni asaj?
E mësoj të jetë e vërtetë; të jetë e fortë; të dijë të dojë; të jetë e pastër; të mos humbë kohë me kotësi...