E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nexhmie Zaimi - Zonja e dashurive

 

Ishte adoleshte. Rebele. E
    dhimbsur dhe përherë
    në kërkim të lirisë, të resë, të bukurës. Për të gjithçka ishte shkolla. Dhe është quajtur “Zonja e dashurive”.
Është Nexhmie Zaimi, e para korrespondente femër e “New York Times” apo “ÇN”, në kujtimet e së cilës mësohet për një grua që luftoi gjithnjë për çështjen shqiptare jashtë kufijve, mësohet për dashuritë dhe zhgënjimet e një jete jo të lehtë. Në librin autobiografik të saj, botuar pak kohë më parë nga shtëpia botuese “Plejad”, “Autobiografia e një vajze shqiptare”, Nexhmia, gruaja që na shfaqet e veshur me rrobat tradicionale shqiptare, në një foto në hyrje të këtij libri, ka besuar në këtë biografi zemrën e saj. Vajzë, që e la Shqipërinë kur ishte vetëm një adoleshente, do të kishte një jetë në kontribut të çështjes shqiptare, sidomos asaj të Kosovës në Amerikë. Megjithatë në këtë libër autobiografik ajo nuk ka dashur të tregojë Nexhmien tjetër, jetën e saj si një grua e pavarur, që braktisi Shqipërinë e viteve ’30, e hipur mbi kalë, nga Libohova deri në portin e Sarandës, për të hipur më pas në kroçerën “Santa Curanta” drejt Amerikës. Vajza që ne njohim nëpërmjet këtyre rrëfimeve të mbushura me ritmet që kishte jeta e një adoleshenteje në shtëpi, që nga mënyra se si duhet të pastronte shtëpinë, duhej të përgatiste pajën për burrin e ardhshëm, si nuk duhet t‘i shihte burrat, nuk rend të tregojë jetën luksoze apo vitet që kaloi si gazetare, duke raportuar nga vendet më problematike, si Palestina apo vendet e ndryshme të Lindjes. Zaimi ka rrëfyer jetën e saj, që mbajti gjithnjë brenda vetes, ato vite që i kaloi në Shqipëri, nën dhunën e të atit, urrejtjen e së njerkës, kohën e vajzave që mbuloheshin me perçe, apo dëshirën për të vazhduar shkollën... “Ky libër është një mënyrë për t‘i treguar botës një dritare të Shqipërisë sime”, do të shprehej ajo diku, e sigurt se kishte mundur të riprodhonte në letër të gjitha ato kujtime që i dhembnin aq shumë në jetën e re. Libri është botuar fillimisht në anglisht, vite më parë nën titullin “Vajza e shqiponjave”.
Jeta e Nexhmie Zaimit do të merrte një tjetër rrjedhë pas ikjes nga Shqipëria. Mjafton të shohësh sot se ç‘drejtim ka marrë jeta e saj pas kësaj ikjeje, për t‘u besuar përrallave për fatin. Moment i rëndësishëm në jetën e saj ka qenë martesa me  industrialistin e njohur Henry Margolis, në vitin 1940, me të cilin pati një djalë, Eric. Nexhmia besoi shumë te Margolis, ky burrë që mes dhjetëra femrave që kërkonin të ishin në krah të tij, zgjodhi vajzën e bukur shqiptare. Ndarja me Margolis dhjetë vjet më vonë do ta bënte Nexhmien të rikthehej në pasionin e saj të adoleshencës, të shkruarit. Ajo do ta kujtonte gjithnjë e më rrallë dashurinë për Henryn, duke besuar se jeta është e mbushur me stacione ku mund të takosh të tjera dashuri. Në këtë kohë ajo nis të punojë në “New York Times” si korrespondente, duke u bërë e para femër që raportonte nga vendet më të vështira të asaj periudhe. Janë të panumërta raportimet e saj nga këto vende. Vetë “New York Times” në një shkrim të bërë për gazetaren e saj disa vite më parë e quan “gruan e pasioneve”. Ndërkaq sot djali i saj, mbi 50-vjeçar është po aq sa ajo, një gazetar i njohur në Kanada.
Në një shkrim të tijin, Eric beson se kjo autobiografi është një portret i nënës, pasi ajo gjatë gjithë jetës nuk reshti së foluri për Shqipërinë. “Ajo kishte mbetur aty” dhe nuk deshi asnjëherë t‘i zëvendësonte ato kohë me të tjera kujtime të bukura që mund të kishte pasur... ndaj dhe vetë Zaimi e mbyll rrëfimin e saj, me lamtumirën dhënë babait, një mëngjes herët... Nexhmie Zaimi vdiq në vitin 2003.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›