E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bylis komandon i vetëm, fitojnë Elbasani e Partizani

 

Kemi një lider në Kategorinë e Parë. Bylisi falë fitores së djeshme në fushën e Skraparit kryeson i vetëm këtë kampionat me 12 pikë. Mjaftoi një gol i vetëm dhe i shpejtë i Hamzait që në pjesën e parë që ballshiotët të merrnin tre pikët e radhës. Ndërkohë kanë fituar dhe Elbasani e Partizani. Verdheblutë kanë mundur jo pa vështirësi Kamzën, e cila kishte të gjitha mundësi që të merrte edhe një barazim në “Ruzhdi Bizhuta” por gaboi disa herë para portës. Edhe “demat e kuq” janë kthyer te fitorja falë dy golave të Karapicit dhe Asllanit. Për t’u theksuar ka qenë në këtë takim përplasja mes tifozerisë së kuqe dhe presidentit të Partizanit Albert Xhani. Gjatë pushimit të pjesëve një turmë tifozësh me bileta në duar kanë dashur të futen në stadium, por janë ndalur për shkak të parullave anti-Xhani. Ndërkaq është ndalur sërish Lushnja. Këtë herë ka qenë një Pogradec që po ngjitet mirë gjatë këtij sezoni, i cili ka larguar nga kreu lushnjarët. Fitore të rëndësishme kanë sigluar Memaliaj ndaj Turbinës, Gramshi ndaj Adës dhe Bilishti ndaj Sopotit të Librazhdit. Barazim në Burrel ku dy golat u shënuan në harkun e vetëm dy minutave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›