Salihi mund të rikthehet në Ried

Hamdi Salihi mund t’i japë fund eksperiencës amerikane pas një viti. Sulmuesi shqiptar nuk e ka gjetur veten si duhet në D.C. United, prandaj ai mund të rikthehet në futbollin evropian. Ueb faqja blackandredunited.com shkruan se për futbollistin shkodran interesim ka shfaqur ish klubi i tij Ried në Austri.
Trajneri i D.C United, Ben Olsen, ka treguar se është në kërkim të një sulmuesi për janar, që nënkupton se ai nuk është i kënaqur me fazën ofanzive që ka në dispozicion aktualisht. Për këtë, 28 vjeçari po kërkon alternativa dhe kampionati austriak, ku kaloi disa vite, mund të jetë e ardhmja e tij.
Ish futbollisti i Rapid Vjenës pati një nismë të mbarë në kampionatin amerikan të futbollit – MLS, mirëpo më pas kishte rënie dhe golat i mungonin. Po ashtu, ai e ka humbur vendin e titullarit edhe në Kombëtaren shqiptare. Prandaj, një rikthim i tij në kontinentin e vjetër është më se i mundshëm.