E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, klubi i parë që mund të jepet në përdorim

Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere “Vllaznia”, Ritvan Troshani, i cili është njëkohësisht edhe nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, në daljen e tij në një prej mediave vizive ka theksuar se ky ekip mund t’i jepet në përdorim ndonjë biznesmeni. Me sa duket, edhe vetë Troshani është duke iu kthyer edhe një herë bashkëpunimeve me biznesmenët, të cilët kanë qenë të pranishëm deri në startin e sezonit të shkuar 2011-2012, ku president ka qenë Valter Fushaj. “Ne si Bashki jemi të hapur për afrimin e ndonjë biznesmeni, me të cilin mund të bashkëpunojmë për të mirën e Vllaznisë. Ideja është që të vijë një njeri për ta menaxhuar dhe investuar edhe ai pjesën e tij. Dhe në këtë kontekst, mendoj se edhe punët mund të bëhen më mirë. Nuk është e vërtetë që jemi në negociata me biznesmenë të ndryshëm për shitjen e aksioneve të klubit. Dua të them se për momentin kjo nuk është e lehtë. Dhe përpos kësaj, duhet ta dinë të gjithë se shitja e aksioneve të klubit Vllaznia bëhet përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe është një procedurë që do kohë ndoshta. Duke qenë kështu, mendojmë se zgjidhja më e mirë e mundshme është ndoshta kalimi i klubit në përdorim të ndonjë biznesmeni që mund të shfaqë interes për të investuar”, ka thënë Troshani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›