E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, Lika drejt rinovimit

Gilman Lika

Edhe pse duhet më shumë se një muaj që të startojë zyrtarisht “merkatoja e vogël”, te Tirana kanë nisur të punojnë pikë së pari për mbajtjen e kontingjentit aktual, duke filluar nga Gilman Lika. Shkodrani konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të bardhebluve dhe jo pa shkak është më i paguari te kjo skuadër. Por atij i përfundon kontrata në fund të këtij viti, pra më 31 dhjetor 2012, ndaj drejtuesit kanë shpejtuar të rinovojnë termat kontraktualë me mesfushorin. Lajmi është pohuar ditë më parë nga administratori Salih Tagani, por gjen konfirmim edhe nga trajneri dhe njëkohësisht shefi i klubit, Alban Tafaji. “Nëse Gilman Lika do të qëndrojë në Shqipëri, e them me kompetencë se ai do të luajë vetëm për Tiranën. Ne kemi folur me të dhe natyrisht i kemi bërë edhe një ofertë, por pa u ulur me detaje për gjithçka. Nga ana e Gilmanit kemi vërejtur gatishmëri për t’u ulur në diskutime, por më së pari duhet pritur, pasi drejt tij kanë ardhur disa oferta nga jashtë. Nëse nuk do të ketë mundësi për shumë arsye që të largohet nga Shqipëria, atëherë ju siguroj se do të rinovojë me Tiranën. Me të njëjtën rrogë a më shumë? Kjo është një çështje që nuk e kemi diskutuar asnjëherë, por kam përshtypjen se nëse do ketë vullnet nga ana e tij për të qëndruar, atëherë çështja e rrogës nuk besoj se do të jetë problem”, – ka qartësuar Tafaj. Ndër të tjera, Tafaj ka konfirmuar dje se nga Tirana nuk do të largohet asnjë lojtar nga organika aktuale, përveç malazezit Miodrag Zec. “Me Zec e kemi zgjidhur kontratën me konsensus dhe ai do të largohet nga klubi. Ndërkohë që askush tjetër nuk do mund të largohet dhe një gjë të tillë ua konfirmova edhe lojtarëve para pak orësh (dje). Dua t’ju konfirmoj gjithashtu se në merkaton e janarit do të afrojmë tre lojtarë cilësorë, nga një për secilin repart: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Nuk e di se ku do ‘peshkojmë’, por me shumë gjasa jashtë Shqipërisë, pasi në Superiore është tejet e vështirë, sepse të gjithë lojtarët janë nën kontrata me klubet ku luajnë”, ka thënë Tafaj.

Europa mund Shqipërinë me penallti
Ndeshja Europë-Shqipëri përfundoi 6-6, por pas penalltive fitoi ekipi i Europës. Për Europën luajtën Strakosha, Shatel, Binaj, Andreoci, Sekui, Jupi, Myrtaj, Deda, Bushi, Fino, Cani. Trajner: Xhani de Biazi (u aktivizuan: Rrapi, Davie, Bega, Kopani, Skënderaj, Shalsi, Malaj). Ndërsa për Shqipërinë: Nallbani, Ahmetaj, Tahiri, Kallaku, Bogdani, Fakaj, Skela, Ademi, Belortaja, Tintrup, Spahija. Trajner: Astrit Hafizi (u aktivizuan Paja, Nano, Shvarc, Strazimiri). Golat për Europën i shënoi Myrtaj (6′, 18′), Bushi (10′, 26′, 77′) e Davie (50′). Për Shqipërinë, Bogdani (21′, 38′, 53′), Skela (35′, 51′) e Moreno (55′).

Kupa “Pavarësia”, 4 ekipe për 1 trofe
Tirana do t’u bashkëngjitet sot skuadrave të Prishtinës, Shkëndisë së Tetovës dhe Flamurtarit për finalet e kupës “Pavarësia”, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Flamurtari” sot në orën 12:00. Fillimisht Flamurtari i Vlorës do përballet me Prishtinën, ndrysa Tirana me Shkëndinë e Tetovës. Fituesit më pas do luajnë finalen për këtë trofe, i cili nuk ka ndonjë vlerë monetare, por zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Kështu, thuajse të gjitha skuadrat do aktivizojnë më shumë lojtarë të dorës së dytë.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›