Salihi ne dyshim per sfiden me Beshiktashin
Hamdi Salihi mundet të mungojë në ndeshjen e radhës që Rapidi do të duhet të luajë në Europa League kundër skuadrës turke Beshiktash. Lajmi u bë i ditur nga mediat austriake, sipas të cilave, sulmuesi shqiptar ka probleme muskulore dhe stafi mjekësor i Rapidit të Vjenës ka bërë të ditur se ende nuk mund të thuhet me siguri nëse lojtari do të jetë në fushën e lojës apo jo. Salihi është golashënuesi më i mirë i skuadrës së drejtuar nga Peter Pakult, në kuotën e dhjetë golave, ndërsa në katër javët e fundit të kampionatit austriak, bomberi shqiptar ka realizuar gjithsej shtatë gola. Rapidi, i eliminuar tashmë, do të duhet të luajë ndeshjen e fundin në grup jashtë fushës së tij, megjithatë ambicia mbetet e pandryshueshme: kërkohet vetëm fitorja, për të demonstruar se largimi nga kompeticioni i dytë për nga prestigji në “Kontinentin e Vjetër” është thjesht një kombinim i faktorëve negativë. Ndërkohë, Beshiktashi e ka siguruar kalimin në turin tjetër dhe paraqitet në sfidën e sotme me mjaft mungesa: trajneri Bernd Shuster nuk do të ketë në dispozicion, mes të cilëve yllin e ekipit, Rikardo Kuarezma.