E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi nuk ndalet me vazhdon te godase rrjeten

Starti i ngadaltë i aventurës amerikane tashmë është një kujtim i largët. Pasi gjeti ritmin e tij të zakonshëm, Hamdi Salihi nuk di të ndalet më. Sulmuesi shqiptar vazhdon të shënojë gola dhe të jetë shumë i rëndësishëm për DC United, që shfaqet si pretendente absolute në Konferencën e Lindjes të Major League Soçer.

Skuadra nga Uashingtoni fitoi me rezultatin 3-1 përballë Torontos, duke regjistruar triumfin e dytë radhazi në sezonin e rregullt dhe fitoren e shtatë në 14 ndeshje të luajtura.

Salihi e nisi ndeshjen si titullar, ndërsa DC United e mbylli pjesën e parë të takimit me shifrat 2-0, me rrjetat e De Rozarios. Në fraksionin e dytë, miqtë shkurtuan shifrat në të 71-tën, por vetëm dy minuta më pas, bomberi kuqezi realizoi golin e sigurisë.

Kjo ishte rrjeta e katërt në pesë ndeshjet e fundit për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, që edhe pse nuk është i grumbulluar për miqësoret me Katarin dhe Iranin po jep sinjale pozitive për formën e tij në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2014.

“Tani po e shihni se si është Salihi”, ishte një pjesë e deklaratës së trajnerit Ben Olsen për lojtarin, ndërsa në fund të takimit, sulmuesi shkodran është shprehur i kënaqur me paraqitjen dhe fitoren. “Pas çdo ndeshje po luajmë gjithmonë më mirë”, tha Salihi. “Shpresojmë të vazhdojmë serinë e fitoreve dhe të tregojmë në fushë se jemi një skuadër që e meriton të jetë në fazën ‘play-off’”, shtoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›