elsi triumf me fat dhe para

Me triumfin në Champions League, Çelsi theu një mallkim, duke marrë për herë të parë trofeun më prestigjioz për klube. Në anën tjetër, Bajerni nuk mund të gjejë ngushëllim as te fakti që prej vitit 1965, ta luash finalen në stadiumin tënd do të thotë të jesh i humbur. Çelsi respektoi traditën duke triumfuar, ndërsa më e fundit që e kishte arritur këtë ishte Liverpuli në finalen e vitit 1984 në Romë. Por, suksesi i Çelsit është karakterizuar nga disa ngjarje rokamboleske.
Të flasësh për fat në futboll është thuajse një tabu. Duket sikur episodet e ndeshjes, fati i mirë apo i keq zhvlerësohen përpara skemave, lojtarëve dhe dinamikave të ndeshjeve të përcaktuara me detaje. Por, Çelsi është shembulli më i mirë që jo gjithmonë ndodh kështu. Jo vetëm finalja e Champions League ku blutë fituan përballë Bajernit, por thuajse e gjithë ecuria e anglezëve në fazën finale të aktivitetit më prestigjioz për klube u ndikua nga fati.
Momentet në favor, fuqia e madhe financiare e klubit dhe lojtarët që nuk e vrasin mendjen edhe nëse fitojnë me futboll të shëmtuar i dhanë Champions-in Çelsit. Trofeun për të cilin Roman Abramoviç ka shpenzuar afro një miliardë euro. Që prej vitit 2003 kur mori drejtimin e klubit londinez, manjati rus nuk ësbhtë kursyer, duke shpenzuar shifra të çmendura për blerjen e lojtarëve dhe emërimin në stol të disa prej emrave më të mëdhenj.
Megjithatë, në fund suksesin europian nuk e arritën Zhoze Murinjo, Luis Felipe Skolari, Karlo Ançeloti apo Andre Vilas-Boas. Në krye të skuadrës që ngriti trofeun në Mynih ishte Roberto Di Mateo, i emëruar përkohësisht në stol vetëm tre muaj më parë. “Katenaço” i trajnerit italian dha rezultatitin e dëshiruar, megjithatë fati ka qenë gjithmonë në krah të Çelsit. Mjafton të kujtosh episodet e sfidës me Barcelonën. Në përballjen dyshe, “blaugranat” e mbajtën topin 72 për qind, realizuan 35 goditje nga të cilat 11 në portë. Në anën tjetër, blutë goditën vetëm 4 herë në portë duke shënuar 3 gola.
Shifrat nuk ishin në sinkron me rezultatin as në finalen e Mynihut: Bajerni kishte 55 për qind mbajtje të topit, gjuajti 24 herë, nga të cilat 7 në portë dhe ekzekutoi 20 goditje këndi. Në anën tjetër, Çelsi tentoi vetëm 6 herë, nga të cilat tre në portë dhe barazoi me Drogba në goditjen e vetme të këndit në dispozicion. Mjafton që këtyre shifrave t’u shtosh penalltitë e humbura nga Lionel Mesi për Barçën dhe Arjen Roben për Bajernin, për të kuptuar sa me fat erdhi triumfi i anglezëve.
Ndërkohë, finalja e Champions League është ndjekur me entuziazëm edhe nga liderët botërore. Nga Kamp Devid, në përfundim të Samitit të G8-ës, kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri britanik Devid Kameron, presidenti i SHBA-ve, Barak Obama dhe liderët e tjerë u mblodhën për të ndjekur kohën shtesë dhe ekzekutimin e 11-metërshave të ndeshjes. Të pranishmit kanë treguar për një tifozllëk mjaft të madh, madje me shprehje stadiumesh, ndërsa në fund festoi Kameron, që mori edhe përgëzimet e kolegëve.
Suksesi i Çelsit ishte i rëndësishëm edhe për një tjetër arsye. Duke fituar Champions-in, blutë sigurojnë një vend në këtë aktivitet edhe për sezonin e ardhshëm. Totenhemi, që e mbylli kampionatin i katërti detyrohet të zbresë në Europa League, ndërsa kampionët e Europës në fuqi do ta nisin aventurën nga turet kualifikuese.