Salihi, vetëm 7 minuta në Rapid-Hamburg 3-0
Hamdi Salihi debuton me shtatë minuta në Europa League. Trajneri i Rapidit të Vjenës, Peter Pakul, nuk e ka parë të arsyeshme ta aktivizojë shqiptarin titullar në ndeshjen e parë të Grupit C të kompeticionit më të ri europian, Europa League ndaj kryesuesit të Bundesligës gjermane, Hamburgut. Gjithsesi, kur duheshin edhe 5 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt dhe Rapidi udhëhiqte me rezultatin 3-0, Salihi ka zbritur në fushë në vend të sulmuesit tjetër Jelaviç. Në ato momente skuadra luante e tërhequr, pasi fati i ndeshjes ishte vendosur. Prandaj edhe sulmet e Rapidit të Vjenës ishin të pakta, pasi po mendohej më shumë për të mbrojtur rezultatin. Sulmuesi shqiptar ishte protagonist në tre raste me rikuperimin e topit, duke e nxjerrë sërish skuadrën përpara. Ky mund të konsiderohet një debutim i mirë për Salihin dhe Rapidin që fitoi gjithë ndeshjen 3-0.